Verë edhe në shtator/ Meteorologia: Jemi 3-6 gradë celcius mbi normalen, shtatori mbyllet i nxehtë

schedule15:38 - 18 Shtator, 2023

schedule 15:38 - 18 Shtator, 2023

Ditë vere në mes të shtatorit.  Temperatura të tilla kanë përfshirë të gjithë vendin  këtë fillim vjeshte.  Vlerat e termometrit i kanë kaluar  30 gradë celcius dhe sipas meteorologëve janë deri në gjashtë gradë më të larta se normalja e stinës.

“Mund të përmendim 2019, 2021 janë regjistruar temperatura të tilla, pasi  temperaturat mesatare të maksimaleve ditore variojnë  në 29- 30 gradë celcius. Nuk duhet të ishte në këto vlera ku jemi. Jemi 3 deri në 6 gradë mbi normalen nëse i referohemi zonave të ndryshme klimatike.”

Të martën priten  reshje,  por  ato  nuk do ti prishin planet  atyre që kanë vendosur të shkojnë në plazh.  Meteorologët parashikojnë të jenë të dobëta dhe të përqëndrohen kryesisht në zonat malore të vendit.

“Presim që shtatori të mbyllet i ngrohtë. Do të ketë pak reshje të dobëta lokale të martën dhe në fundjavë në zonat malore, por reshje të dobta lokale dhe jo problematike”

Megjithëse parashikohet një rënie e lehtë e vlerave të termometrit  meteorologët thonë se shtatori do të mbyllet me temperatura më të larta se normalja  e muajit.   Me ditë të ngrohta pritet të nise dhe tetori.