Moska dhe Kievi do të përballen sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së në Hagë pas një apeli nga Ukraina, e cila akuzon Rusinë për përdorimin e padrejtë të akuzave për gjenocid për të justifikuar pushtimin e saj në 2022.
Përfaqësuesit e dy vendeve ndërluftuese do të paraqesin argumentet e tyre para gjyqtarëve në selinë e gjykatës, në një mosmarrëveshje nëse gjykata e lartë e OKB-së ka juridiksion për të urdhëruar përfundimin e operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin justifikoi pjesërisht pushtimin e 24 shkurtit 2022 të Ukrainës fqinje duke përmendur akuzat për ” gjenocid” të orkestruar nga Kievi në Ukrainën lindore.
Dy ditë më vonë, më 26 shkurt 2022, Kievi apeloi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë duke “mohuar kategorikisht” këtë pretendim dhe duke argumentuar se përdorimi i “gjenocidit” nga Rusia si pretekst bie ndesh me Konventën e Kombeve të Bashkuara për gjenocidin e vitit 1948.
Në mars 2022, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mbajti anën e Ukrainës, duke urdhëruar Rusinë që të “ndërprejë menjëherë” operacionet e saj ushtarake, të cilat aktualisht janë duke vazhduar në Ukrainë.
Sipas Rusisë, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i mungon juridiksioni sepse çështja e Ukrainës nuk përfshihet në Konventën e Gjenocidit të vitit 1948. Moska do të tregojë argumentet e saj sot, Kievi do të përgjigjet nesër, të martën.
Është hera e parë që një përfaqësues rus i drejtohet gjykatës në këtë rast. Moska më parë kishte refuzuar seancat, duke argumentuar se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur argumentet e saj.
Më shumë se 30 vende të tjera, të gjithë aleatët perëndimorë të Ukrainës do të kenë gjithashtu mundësinë të ndërhyjnë në emër të Kievit.
Seancat do të vazhdojnë deri më 27 shtator. Pas këtyre, gjyqtarët do të vendosin nëse gjykata ka juridiksion për të shqyrtuar çështjen. Marrja e këtij vendimi mund të zgjasë me muaj.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së në Hagë po merret gjithashtu me një apel të veçantë nga Ukraina, e cila pretendon se Rusia mbështeti rebelët separatistë në Ukrainën lindore për vite përpara pushtimit.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis shteteve anëtare të OKB-së kur ato nuk mund t’i zgjidhin vetë problemet.
/abcnews.al