Përmbytjet vdekjeprurëse në Libi/ OKB: 11 mijë viktima dhe mbi 10 mijë të zhdukur në Derna

schedule13:07 - 17 Shtator, 2023

schedule 13:07 - 17 Shtator, 2023

Të paktën 11,300 njerëz kanë vdekur dhe 10,100 të tjerë janë të zhdukur vetëm në qytetin lindor të Libisë, Derna, i cili u godit rreth një javë më parë nga përmbytjet, tha një agjenci e Kombeve të Bashkuara, duke cituar Gjysmëhënën e Kuqe Libiane.

“Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Libiane, këto përmbytje të paprecedentë kanë vrarë rreth 11,300 njerëz dhe 10,100 të tjerë janë zhdukur vetëm në qytetin Derna, tha Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) në një përditësim të situatës të shtunën.

Përmbytjet gjithashtu vranë të paktën 170 njerëz në vende të tjera në Libinë lindore. “Këto shifra pritet të rriten ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit punojnë pa u lodhur,” paralajmëroi OCHA.

Stuhia Daniel, e cila goditi Derna, një qytet me 100,000 banorë në Libinë lindore, nga mbrëmja e së dielës deri të hënën, shkaktoi thyerjen e dy digave, duke bërë që vëllime të mëdha uji, të përmasave të cunamit, të shkatërronin gjithçka në rrugën e tyre.

Ministri i Shëndetësisë i qeverisë së Libisë Lindore, Othman Abdeljalil, publikoi pasditen e së shtunën një raport që fliste për 3252 të vdekur. Ndërsa në një deklaratë të lëshuar më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) iu referua 3,958 trupave që janë gjetur dhe identifikuar dhe “më shumë se 9,000 persona” që janë ende të zhdukur.

“Situata humanitare mbetet veçanërisht e zymtë në Derna,” tha OCHA, duke shtuar se qyteti vazhdon të ketë mungesë të ujit të pijshëm dhe të paktën 55 fëmijë janë helmuar nga pirja e ujit të kontaminuar.

Sipas dëshmive të banorëve, shumica e viktimave janë varrosur nën baltë ose janë tërhequr drejt Mesdheut. Anëtarët e një ekipi shpëtimi nga Malta, duke ndihmuar libianët në det, raportuan se gjetën qindra trupa në bregdet, pa specifikuar se ku saktësisht, sipas një raporti në gazetën Times of Malta.

“Ishin ndoshta 400, por është e vështirë të thuhet saktësisht se sa”, tha udhëheqësi i ekipit maltez Natalino Bezzina, duke vënë në dukje se qasja në bregdet ishte e vështirë për shkak të erërave të forta. Ai shtoi se ekipi i tij megjithatë ishte në gjendje të ndihmonte në marrjen e dhjetëra viktimave.

Një ekip libian i kërkim-shpëtimit me Zodiac tha se gjeti “ndoshta 600 trupa” në det në zonën Om al-Briket, rreth 20 kilometra në lindje të Derna, sipas një video të ngarkuar në faqet e rrjeteve sociale. Ai nuk specifikoi nëse ishin të njëjtat trupa të raportuar nga skuadra malteze.

Hetime të vështira

Ekipet e tjera libiane dhe të huaja të kërkim-shpëtimit raportojnë çdo ditë se kanë gjetur viktima, por kërkimi pengohet nga tonelatat e baltës dhe mbeturinave që mbuluan një pjesë të qytetit.

Në shumicën e rasteve ekipet janë të detyruara të përdorin lopata për të pastruar zonat ku operojnë, përpara se të kërkojnë viktima në ndërtesat e dëmtuara.

Puna e ekipeve të kërkim-shpëtimit pengohet gjithashtu nga kaosi politik në shtetin e Afrikës së Veriut.

Pas kryengritjes, përmbysjes së regjimit dhe vdekjes së kolonelit Muammar Gaddafi në 2011, në Libi ekzistojnë dy qeveri rivale, njëra në Tripoli (perëndim), e njohur nga OKB dhe e kryesuar nga kryeministri Abdelhamid Dbayba, tjetra në në lindje, i lidhur me Marshallin e fuqishëm Khalifa Haftar.

Autoritetet thonë se kanë filluar procesin e ndërlikuar të identifikimit dhe regjistrimit të viktimave, shumë prej të cilëve u varrosën me nxitim në ditët e para pas katastrofës.

Përveç kësaj, Othman Abdeljalil mohoi informacionin për një evakuim të mundshëm të qytetit, duke thënë se vetëm “zona të caktuara” mund të mbeten “të izoluara”, për të lehtësuar punën e ekipeve të shpëtimit.

Ai shtoi se shërbimet e tij, në koordinim me OBSH-në, do të “intensifikojnë përpjekjet në fushën e ndihmës sociale dhe psikologjike”.

Mostrat e ujit mblidhen dhe analizohen çdo ditë për të shmangur kontaminimin e mundshëm dhe rrezikun e shpërthimeve, shtoi ministri, duke u kërkuar banorëve të mos përdorin ujin nga puset.

Mobilizimi ndërkombëtar vazhdon. Avionët e ndihmës vazhdojnë të ulen në aeroportin Benina në Benina, një qytet i madh në Cyrenaica, ku po mbërrijnë edhe ekipet e kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës nga organizata dhe shtete ndërkombëtare.