Goditjet e daltës së tij dëgjohen çdo ditë në rrugicën e artizanëve në qytetin e Gjirokastrës.
Gdhëndjen në dru Viktor Nurçe e ka kthyer në profesion të jetës.
Ka më shumë se 30 vite që e ushtron si zanat dhe tregon se ka patur fatin që të punojë me mjeshtra të zotë.
“Profesionin e drugdhënësit, unë kam që prej 33 vitesh, fillova në ish ndërmarrjen artistike në Gjirokastër. Në atë ndërmarrje pata fatin të kem mjeshtra shumë të mirë, nuk e kam ndërperë punën”
Kujdeset që të ruajë traditën. Thuajse çdo objekti që del nga duart e tij ka të gdhendur elemente popullore.
“Me ato vështirësitë të ndryshimeve që ndodhën në vendin tonë, revistova dhe vazhdova. Herë në shtëpi e herë ishte jashtë, ishte një pasion, dëshirë shumë e madhe”.
Zhvillimi i turizmit që është shoqëruar me shtimin e bujtinave e biznesve ka sjellë më shumë klientë në punishten e tij. Nurçe thotë se u sugjeron atyre punime e modele tradicionale.
“Kanë filluar thuajse të gjitha hotelet e Gjirokastrës, përveç hoteleve të mëdha, çdo njeri që vendos të banojë në Gjirokastër, e shikojnë si një burim të ardhurash fushën e turizmit”.
Edhe këtij zanati të rinjtë e sotëm i qëndrojnë larg. Viktori tregon se fillimisht gdhëndja në dru i tërheq por puna nuk është e lehtë do durim e përkushtim të fortë ndaj ata me kalimin e kohës tërhiqen.
Në shkolla sugjeron ai duhet të ketë më shumë orë mësimore kushtuar zanatave të traditës në mënyrë që këto të fundit të mos shuhen e harrohen. Po kaq vemëndje lipset edhe nga institucionet./abcnews.al