Kjo vegël artizanale mbi 100 vjeçare, që në gjuhën e profesionit të endësit, quhet “vejkë”, Jorgji Zguri e ka trashëguar nga vjehrra e saj.
Kjo traditë e endësit të qilimave, e përhapur më tepër nga komuniteti vllah, për qindra vite ka qenë e pranishme thuajse në të gjitha familjet shqiptare qoftë në formën e qilimave, rrugicave, shtrojave të ndryshme, guvertave, madje dhe veshjeve të burrave dhe grave, banorë të zonave të ftohta, si bluza apo çorape prej leshi.
Jorgjia shprehet se profesionin e endësit e ka mësuar nga nëna pa mbushur moshën 15 vjeçe, profesion që e vazhdon edhe sot që i ka kaluar të shtatëdhjetat.
“E kam trashëgimi nga mamaja. Që në moshën 15 vjeçe, që kur ishim në shkollë. Pasi u martova, gjeta prapë vjehrrën, gjeta të njëjtat vegla, nuk e lamë zanatin. Jetuam me këtë zanat. Vazhdojmë edhe sot, shkuam në kurbet, kur u kthyem, thamë të bëjmë diçka.”
Ajo tregon se edhe gjatë periudhës se komunizmit, ku familjes se saj iu morën nga shteti me mijëra bagëti dhe shumë familje të ketij komuniteti u detyruan të ndryshojnë profesion, asnjëherë nuk e braktisi profesionin e saj të parë, atë të endëses se qilimave. End qilima jo vetem për nevojat e familjes, por dhe duke i tregtuar të fshehura.
“I shisnim nëpër fshatra, të fshehura, por me ato jetuam. Nuk lejohej që të bëhej”.
Jorgjia këtë profesion ua ka mësuar edhe vajzave te saj. Ato e kanë përsosur profesionin duke ia përshtatur tregut, ku nuk mungojnë dhe prodhime artizanale për veshje femrash apo çanta dhe aksesorë të ndryshëm.
“Unë, po të them sesi i detyroja vajzat, do më dukej, me tërë mend e kam bërë këtë gjë? Të dielave, kishin televizor, unë i ulja siguresat e dritës, që të mos shihnin filmat. Ulja sigursën që të punonin në vegë, pastaj të shihnin filmin.
Në Voskopojë, Jorgjia ka çelur dhe një biznes të vogël me prodhime të endura nga ajo vete dhe familjarët e saj. Blerësit nuk mungojnë, por edhe ato vajza që shprehin interes për të mësuar profesionin e endëses së qilimave, kryesisht nxenëset e shkollës së fshatit./abcnews.al