Trump nuk tërhiqet, apel Kinës për të hetuar Biden dhe të birin

schedule21:10 - 3 Tetor, 2019

schedule 21:10 - 3 Tetor, 2019

Nisja e proçedurave të inkriminimit nuk e ka trembur presidentin Donald Trump, i cili në përpjekjet e tij për të dëmtuar figurën e Xho Bajden i ka kërkuar ndihmë Kinës.

Duke i bërë publikisht apel Pekinit, Trump ka thënë se mund t’i kërkojë personalisht presidentit Xi që ta hetojë rivalin e tij politik.

Presidenti Donald Trump kërkoi sërish të enjten ndërhyrje të huaj për të dëmtuar figurën e kundërshtarit të tij politik, Xho Bajden.

Këtë herë Trump iu drejtua Kinës, duke i kërkuar publikisht që të hetojë ish-zëvendës presidentin amerikan dhe të birin, njësoj siç ia kishte kërkuar Ukrainës në bisedën telefonike me homologun Volodimir Zelenskij.

Pavarësisht se telefonata në fjalë bëri që ndaj Trump të nisnin proçedurat e inkriminimit në Kongres, shefi i Shtëpisë së Bardhë ngriti ndaj atij që pritet të jetë rivali i tij në zgjedhjet e 2020-s të njëjtat akuza për korrupsion edhe në Kinë.

“Njësoj si Ukraina, edhe Kina duhet të nisë një hetim për familjen Bajden. Pasi ajo që ka ndodhur në Kinë është po aq e keqe sa ajo që ka ndodhur në Ukrainë”, tha Trump, duke iu referuar biznesit që Bajden Xhunior ka në vendin aziatik.

Megjithatë, deri më sot Trump dhe avokati i tij personal Rudi Xhuliani nuk kanë paraqitur asnjë provë për pretendimet e tyre në dëm të Bajden.

I pyetur nga mediat nëse i kishte kërkuar presidentit kinez Xi Jinping të hetonte, Trump u përgjigj:

“Jo, nuk i kam kërkuar. Por është diçka që po mendoj ta bëj”, tha Trump.

E kontaktuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, ambasada kineze në Uashington refuzoi të bënte një koment lidhur me çështjen.

Apeli i Trump drejtuar Pekinit tingëllon çuditshëm në një kohë kur Amerika dhe Kina janë të përfshira në luftën tregtare, që përveç se dy vendet ka dëmtuar edhe ekonominë globale.

Palët pritet të zhvillojnë një tjetër raund bisedimesh javën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara./ABC News Albania 24/7