Tregtia me pakicë ka pasur një ecuri pozitive në pjesën e parë të 2023. Rritja e konsumit në ekonominë shqiptare është ndikuar direkt nga numri i lartë i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë.
Të dhënat e Instat tregojnë se volumi i shitjeve në tregtinë me pakicë, shënoi një rritje me 5,8% çka nënkupton se konsumi ka nisur të gjallërohet pas goditjes nga rritja e fortë e cmimeve vitin e kaluar si pasojë e konflikit Rusi-ukraine.
Ndikim kryesor ka dhënë blerja e produkteve ushqimore të shportës e ndjekur nga karburantet. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022.
Në grupin “tregti hidrokarbure në pikat e shitjes me pakicë “, volumi i shitjeve është rritur me 7,3 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022
Po ashtu të dhënat tregojnë se bizneset kanë shitur më tepër edhe atikuj jo-ushqimor me 5,7 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.
Nëse shohim ritmet e rritjes vjetore të tregtisë me pakicë në tremujorin e dytë të këtij viti ato rezultojnë më të lartat në një vit.