Lampedusa e Italisë është kthyer në një ‘pikë të nxehtë’ pasi shumë emigrantë po zbarkojnë çdo ditë e më shumë. Pavarësisht situatës së vështirë në ishull, nuk mungojnë shembujt e mikpritjes dhe mirëseardhjes si ai i zjarrfikësit, Antonio Di Malta, i cili ftoi në shtëpinë e tij disa emigrantë.
Ai tregoi për mediat italiane se kishte ftuar 10 prej tyre pasi kishte parë se ishin të rraskapitur. “Kur u shfaqën jashtë shtëpisë sime, ata ishin të uritur dhe u gjunjëzuan duke na kërkuar ushqim . Unë kisha një darkë të organizuar me disa miq, por u përballa me këtë skenë nuk munda ta duroja.”, tha ai.
Me ndihmën e mamasë sime përgatitëm spaggetti me domate dhe ton. Më duhet të them që të gjithë banorët e ishullit po punojnë shumë për t’u dhënë një pjatë të nxehtë njerëzve që mbërrijnë”, vazhdoi zjarrfikësi për mediat vendase, duke shtuar se nuk kishte parë një situatë të tillë që nga viti 2011.
“Solidariteti vjen spontanisht kur i sheh këta njerëz me sy të mirë, në shtëpinë time u munduan të lëviznin që të mos na shqetësonin. Pas ushqimit nuk pushuan së falenderuari”, tha ai./abcnews.al


