Shkup: Me gjithë kritikat, ndryshimet në Kodin Penal hyjnë në fuqi

schedule14:54 - 14 Shtator, 2023

schedule 14:54 - 14 Shtator, 2023

Ndryshimet në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut, të cilat mundësojnë uljen e dënimit me burgim për zyrtarët shtetërorë, kanë hyrë në fuqi më 14 shtator, megjithëse u kritikuan dukshëm nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Në bazë të këtyre ndryshimeve – të cilat u miratuan nga Kuvendi maqedonas më 6 shtator – personat që keqpërdorin pozitën dhe autoritetin zyrtar gjatë prokurimit publik, apo dëmtojnë fondet buxhetore, do të dënohen deri me pesë vjet burgim.

Me ligjin e deritanishëm, dënimet për vepra të tilla penale fillonin nga pesë e mund të shkonin deri në më shumë se 10 vjet burgim.

Shefi i zyrës së delegacionit evropian në Shkup, David Geer, më 14 shtator e kritikoi mënyrën sesi Maqedonia e Veriut i bëri këto ndryshime në kodin penal.

“Komisioni Evropian shpreh brengosje se disa nga ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal bartin rrezikun e reduktimit të pandëshkueshmërisë. Komisioni Evropian, gjithashtu, thekson rëndësinë e sundimit të ligjit, sa i përket gjykimit të rasteve penale që duhet të adresohen dhe procedohen në mënyrë adekuate”, tha Geer.

Bashkimi Evropian vlerëson se Maqedonia e Veriut “duhet të jetë e përkushtuar, efikase dhe bindëse në promovimin e sundimit të ligjit përmes luftimit të veprimeve kriminale”.

Lidhur me ndryshimet e bëra, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup tha se një ekip i saj ligjor po i shqyrton përmbajtjet e Kodit, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka rikujtuar autoritetet se “korrupsioni ka potencial të minojë ambiciet strategjike të Maqedonisë së Veriut”.

Ulje më drastike të dënimit me burgim parashihen në Nenin 394, që ka të bëjë me veprën penale “bashkim kriminal”.

Në vend të maksimumit prej 10 vjetëve burgim, që parashikohej më parë për personat që krijojnë grup kriminal, tani me ndryshimet që janë bërë, dënimi maksimal mund të arrijë deri në tri vjet burgim.

Ndryshimet janë kundërshtuar edhe nga opozita shqiptare, e cila vlerëson se “pushteti po përgatitet për mbrojtjen e zyrtarëve të saj pas kalimit në opozitë”.

“Ndryshimet në Kodin Penal, realisht janë një amnisti e fshehur për funksionarët e lartë të cilët duart i kanë në krim dhe korrupsion. Këto ndryshime prekin zyrtarë aktual të qeverisë të cilët po përgatiten për në opozitë andaj edhe po bëjnë gjithçka që krimin dhe korrupsionin e bërë gjatë qeverisjes së tyre ti mbulojnë me aspektet ligjore. Sistemin gjyqësor nuk i duhet amnisti për zyrtarët e zhytur në krim dhe korrupsion, por i duhet luftë e organizuar institucionale kundër krimit dhe korrupsionit që të mund këtë sistem dhe shoqëri ta vendosim në rrugën e drejtë të integrimeve evropiane”, ka deklaruar deputeti Fadil Zendeli në emër të Frontit Opozitar Shqiptar.

Por, pavarësisht reagimeve, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha më 13 shtator se “ndryshimet janë bërë në përputhje me legjislacionet e vlefshme në Bashkimin Evropian.”

“Nëse i shihni nivelet e dënimeve dhe nëse i krahasoni me Slloveninë, atëherë do të shihni se janë në të njëjtin nivel. Ne më parë kishim një ligj në të cilin dënimet ishin të kohës së komunizmit”, tha Kovaçevski./REL