Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, doli sot para mediave dhe foli për ndeshjen kundër Kosovës, që zhvillohet më 15 tetor. Tekniku analizoi kundërshtarin dhe veçoi dëshirën e tyre të madhe për të fituar. Gjithsesi ai thekson se lojtarët e tij janë më cilësorë dhe vetëm duhet të luftojnë.
“E njohim Kosovën, janë ekip i fortë dhe pretendent për t’u ngjitur. Ndryshe nga ne që bëjmë shumë ndryshime, ata janë një grup i lidhur. Kjo ndodh pasi ne furnizojmë kombëtaren e parë. Disa lojtarë të Kosovës i kam tentuar, por nuk kanë pranuar të vijnë. Nuk ka asnjë problem”, shprehet Bushi.
Më tej ai shton: “Kosova është më agresive dhe dëshiron shumë të fitojë. Kjo është ajo çka nuk e kanë lojtarët tanë. Mundohemi t’i motivojmë, por se di pse nuk e kanë në gjak. Janë një hap më lart se ne, edhe pse po t’i shikosh lojtarët tanë kanë më shumë cilësi. E mira e tyre është se i kanë lojtarët të gjithë titullarë dhe marrin minuta”.
ECURIA – “Kemi bërë katër ndeshje dhe mendoj se gabimin e vetëm e kemi bërë ndaj Andorrës. Me Turqinë jemi paraqitur mirë, ndërsa me Austrinë bëmë lojën më të dobët. Duhet të ishim më agresiv. Objektivi është të futemi për fitore, por duhet të nxjerrim lojtarë për Kombëtaren A. Ka lojtarë si Bullari, Broja që nuk e kanë moshën për te ne. I marrim dhe u japim minuta, por kjo ka kostot e veta. Ata luajnë me lojtarë tre vjet më të mëdhenj se ata dhe nuk është e lehtë. Kemi humbur 5 ndeshje: me Francën, Italinë, Skocinë dhe Austrinë. Duhet të pranojmë se kundërshtari është më i fortë, por duhet të japim maksimumin. Këto ndeshje shërbejnë për t’u rritur”, shtoi trajneri i kuqezinjve.
KËRKESA – “Kërkoj nga skuadra vetëm të luftojë. Në lojë duhet të luftosh 95 minuta, jo vetëm 5 minuta. Nuk është si në basketboll. Në këtë pjesë kemi shumë mangësi. Duhet të pranojmë që këta janë lojtarët që kemi në dispozicion. Jemi të kënaqur, kur shohim lojtarët e Shpresave që bashkohen me ekipin A. Kjo na bën krenarë dhe shpresojmë që me Kosovën të fitojmë”, përfundoi tekniku i Shqipërisë U21, Bushi. /abcnews.al