Dy dëshmitarë të mbrojtur përfundojnë dëshminë në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

schedule15:35 - 13 Shtator, 2023

schedule 15:35 - 13 Shtator, 2023

Ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të 24-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Intervistimi i tij i cili ka filluar të martën, është bërë kryesisht në seancë private. Ndërsa kur është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes, ai ka thënë se nënçmimi më i madh për një shqiptar është ta etiketosh si kolaboracionist.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin W04255 fillimisht është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Rexhep Selimit, avokatit Geoffrey Roberts, tërësisht në seancë të mbyllur për publikun.

Ndërsa më vonë, mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson është kthyer edhe njëherë me pyetje rreth historikut të përdorimit të maskave për periudhën nga fundi i vitit 1997 deri në mesin e vitit 1998.

Pyetje shtesë ka pasur edhe mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe.

Dëshmitari i ka thënë atij se për popullin shqiptar etiketimi si kolaboracionist është term nënçmues.

Pas kësaj, ka përfunduar dëshmia e W04255 ndërsa para turpit gjykues është kthyer për t’u përgjigjur edhe njëherë dëshmitari 23-të me radhë.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin W03827 është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Misetiq, por intervistimi është bërë në seancë private.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/