Kryeministri Edi Rama mesditën e kësaj të marte ka qenë në kantierin e madh të Rilindjes së Vorës ku pas tërmetit shkatërrues dhe zgjidhjes së mundimshme të nyjeve të pafundme të pronës për hapjen e një sheshi të madh ndërtimi, po merr formën e vet përfundimtare një lagje e ndërtuar nga e para.
Kryeministri përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se në këtë kompleks do të jenë 405 apartamente shkolla dhe hapësira të gjera publike.
“Sa kemi vuajtur me këto prona dhe mbivendosje. Problemi ishte me letrat dhe mbivendosjen e dokumenteve dhe poshtërsive të zonës”, ka thënë Rama.
Ndër të tjera ai ka theksuar se është e rëndësishme që tashmë në këtë investim të ri është e rëndësishme që të bëhen sa më shumë hapësira të gjelbërta dhe stola për qytetarët.
“Tërmeti u kthye në një mundësi për transformim total”, është shprehur Rama./abcnews.al