Pjesëtarë të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë kanë përfunduar kontrollin në banesën e dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu, prej ku i kanë marrë disa dokumente.
Avokati i familjes, Artan Qerkini tha se dokumentet e marra janë publike dhe se nuk ka pasur fare nevojë për bastisje të shtëpisë për të arritur deri tek këto dokumente. Derisa shtoi se nuk mund të japë detaje të tjera lidhur me atë se çfarë është kontrolluar.
Ai e ka quajtur të kot dhe të panevojshme bastisjen që po ndodh në shtëpinë e heronjve kombëtar, Bahri dhe Fahri Fazliut.
Sipas Qerkinit, Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme në lëshimin e urdhrave për kontrolle, sepse, siç tha ai, është cenim i privatësisë.
Kujtojmë se, bastisja ka filluar në orën 07:00 të mëngjesit nga pjesëtarët e EULEX-it dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.
/KosovaPress/