Finlanda ka konfirmuar mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Qëndrimin e qeverisë finlandeze e shprehu ministri i jashtëm Pekka Haavisto, gjatë takimit që zhvilloi në Tiranë me ministrin në detyrë për Evropën dhe punët e jashtme Gent Cakaj.
Janë të ndryshme e të shumta temat që e kanë sjellë në Tiranë ministrin e jashtëm të Finlandës por më e rëndësishmja është marrja e një po-je zyrtare të qeverisë që përfaqëson për hapjen e negociatave të Shqipërisë në Tetor me Bashkimin Evropian.
“Ne mendojmë që Ballkani Perëndimor nuk është në qoshe të largët, është në qendër të Evropës dhe ne i mbështesim bisedimet që po zhvillohen me Serbinë dhe Malin e Zi dhe tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Sigurisht ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit. Duam që vendimi të merret me unanimitetin e të gjitha shteteve anëtare”, deklaroi Haavisto.
Ministri në detyrë për Evropën dhe punët e jashtme Gent Cakaj u shpreh edhe Komisioni Evropian e ka të qartë që Shqipëria i ka përmbushur mjaftueshëm detyrimet e saj për nisur procesin e bisedimeve për anëtarësim.
Në konferencën e përbashkët për shtyp ministri në detyrë Cakaj nënvizoi se bisedimet me ministrin Haavisto u ndalën dhe tek procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, ku të dy ministrat nënvizuan edhe nevojën urgjente për përmbyllen e këtij procesi në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin si të gjithë qytetarët e vendeve të Rajonit. /ABC News Albania 24/7