Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ndodhet për një vizitë zyrtare dy ditore në Shkup. Në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ai u zotua se do të përkrahë Maqedoninë në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Maqedonia e Veriut nxori mësimet nga e kaluara dhe siguroi vendin në NATO, duke zgjidhur çështjen e emrit, ka theksuar Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Stevo Pendarovski. Sipas Presidentit Gjukanoviç jostabiliteti në Ballkan është si pasojë e zhvillimit demokratik të rajonit dhe se kjo zgjidhet vetëm me integrimet evropiane.
“Maqedonia e Veriut, për shkaqe tashmë të njohura pas vitit 2008 në Samitin e Bukureshtit, humbi hapin që shumë mirë e kishte trasuar në rrugën e integrimeve, por më duket se disa mësime janë marrë dhe ndërkohë është arritur një progres serioz dhe sot realisht është të pritet që Maqedonia e Veriut të fitojë satisfaksion të plotë nëpërmjet dy veprimeve të bashkësisë ndërkombëtare”.
Presidenti Pendarovski theksoi se nuk ka paralajmërime se kreu shtetëror bullgar do ta bllokojë datën për negociata me Bashkimin Evropian, kurse pret edhe më tej përkrahje nga Podgorica për rrugëtimin euro-atlantik të Shkupit.
“Presidenti Gjukanoviç më siguroi se përkrahja e Malit të Zi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kurse bashkarisht konstatuam se është e domosdoshme që BE-ja ta njeh këtë moment dhe Maqedonia e Veriut këtë muaj përfundimisht të marrë datë për fillimin e negociatave aderuese”.
Vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo dy vendeve, Presidenti Gjukanoviç e vlerëson në linjë të pranisë së përforcuar amerikane në rajon, kurse Presidenti Pendarovski theksoi se Pompeo vjen për t’u shprehur mirënjohje vendeve që deri më tani janë në kursin euro-atlantik./ABC News Albania 24/7