NATO i kërkoi autoriteteve të Kosovës të konsultohen me aleancën para se të ndërmarrë çdo veprim që mund të cenojë sigurinë në veri të vendit. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg e bëri këtë deklaratë në një konferencë me presidenten Vjosa Osmani në Bruksel, e cila ishte e ftuar në selinë e aleancës.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri theksoi në një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku se qeveria duhet ta marrë seriozisht deklaratën e drejtuesit të aleancës. Haziri thotë janë bërë hapa pas me krizat e fundit në veri, gjë që ka sjellë edhe shtim të kompetencave të KFOR-it.
“Mandati i KFOR ka qenë i limituar dhe drejt një misioni mbyllës. Krizat e fundit në katër komunat edhe e kanë shtuar numrin e forcave të KFOR-it dhe është vendosur në pjesën veriore si edhe është rikthyer mandati. Kjo situatë nuk po përballohet dhe si duket ky mandat i besohet vetëm forcave të KFOR-it dhe përforcim i numrit të ushtarëve nuk është lajm i mirë për Kosovën. Flet për një situatë të sigurisë në një shkallë të rrezikut më të lartë, flet për një mundësi të një administrimi civil apo ushtarak jashtë mundësisë që autoritetet e Kosovës munden me reaguar, dhe uroj shumë që qeveria, në veçanti këtë qëndrim të NATO-s ta marrë seriozisht dhe ta zbatojë me korrektësi.“, theksoi Haziri.
Duke komentuar takimin mes Kurtit dhe Vuçiç që pritet të mbahet me 14 Shtator, Haziri theksoi gjatë intervistës për ABC News se fokus i diskutimeve nuk duhet të jetë vetëm depërshkallëzimi i situatës në veri por edhe lehtësimi i masave të vendosura nga ndërkombëtarët, që kanë prekur qytetarët.
“Si në rastin e parë, kur BE paralajmëroi masa ndëshkuese për palët që nuk tregojnë konstruktivitet në negociata, Kosova dhe kryeministri i saj i mbajti fshehtë dhe nuk i njoftoi qytetarët e Kosovës për masat e marra, dhe ndëshkimi në kufizim dhe në takime apo vizita tashmë po jep efekte sepse ngrirja e disa fondeve, mospjesëmarrja e Kosovës në fonde për vitet e tjera, kanë filluar me dhënë efektet e para. Këtë e pranoi Kurti në takimin e BLED-it. Masat po japin efekte dhe po prekin jetën e qytetarëve të Kosovës. 14 shtatori ende është me axhendë të fshehur, as kryeministri dhe as ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk kanë njoftuar se cila do të jetë çështja që do të diskutohet. Jo vetëm deeskalimi për të cilën duhet të takohen palët, por cilat janë pritjet që 14 shtatori me zhbllokuar gjendjen dhe lehtësuar masat ndëshkuese.”, shtoi ai.
Ai shtoi se dështimi i këtij takimi, do të tregojë se lista e masave ndëshkuese do të zgjatet dhe zgjerohet./abcnews.al