Kosova gati për “helvetët”, Gliha: E kemi analizuar Zvicrën, do të japim maksimumin tonë

schedule12:56 - 7 Shtator, 2023

schedule 12:56 - 7 Shtator, 2023

Të premten mbrëma, “dardanët” e Kosovës do të presin në mitikun e Prishtinës, “Fadil Vokrri”, “helvetët” e Zvicrës, në përballjen e radhë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian të futbollit, “Euro 2024”.

Pas stërvitjes së fundit të skuadërs, disa fjalë për mediat i tha dhe tekniku i “dardanëve”, Primozh Gliha, i cili përveç formës së skuadrës, falenderoi dhe tifo-grupin “Dardanët”, për mbështetjen e madhe që i japin Kombëtares së tyre.

“Jemi duke u përgatitur për Zvicrën. E dimë që është kundërshtare e fortë. Kemi zhvilluar dy ditë stërvitje intensive, për t’iu përshtatur ritmit të lojës dhe të caktojmë sistemin se si do të futemi në ndeshje.

E kemi analizuar Zvicrën. Kanë qenë dy stërvitje të mira. Ekipi është në fokus, pasi e dimë që Zvicra është kundërshtare e fortë dhe do të jetë ndeshje e vështirë. Por në futboll të gjithë e dimë se gjithçka është e mundur. Nëse organizohemi mirë dhe japim maksimumin, ekziston mundësia për të nxjerr një rezultat pozitiv.

Kemi shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër e që do të na përkrahin edhe ata. Të gjithë e dimë se stadiumi do të jetë i mbushur dhe do të ketë atmosferë të mirë, por sigurisht se do të jetë edhe një ndeshje e vështirë. Të gjithë e dimë këtë.

Ne do të mundohemi për një rezultat pozitiv. Atmosfera është e mirë në grup, trajneri fokusin e ka tek ekipi, jo zhurma përreth. Falënderojmë ‘Dardanët’, por edhe të gjithë që na mbështesin dhe na shikojnë në çdo ndeshje. Besojmë se do t’i kemi mbështetës edhe në ndeshjet e ardhshme”,- tha në fund të stërvitjes trajneri Gliha. /i.m /abcnews.al