Pritjes i erdhi fundi dhe këtë të mërkurë, skuadra e Vllaznisë për femra do të kërkojë të rishkruajë historinë, teksa do të tentojë kualifikimin për herë të dytë në histori, në fazën e grupeve të UEFA Champions League, ku në përballjen e parë të fazës para-eleminatore do të ndeshet me skuadrën kampione të Kosovës, Hajvalinë.
Vajzat “kuqeblu” duket të jenë më të karikuara se kurrë para kësaj përballjeje dhe këtë gjë e ka konfirmuar dhe tekniku i shkodraneve, Haris Lika, i cili në konferencës për shtyp të zhvilluar pasditen e së martës, që sapo lamë pas u shpreh se janë gati për sfidën ndaj Hajvalisë.
“Ndeshjen ndaj Hajvalisë e kemi përgatitur ashtu si duhet. Kemi pasur në dispozicion një kohe të gjatë për këtë gjë, kohë e cila më ka ndihmuar edhe mua si trajner të ingranohemi me ekipin. Stafi me ka mbështetur shumë, po ashtu edhe vajzat, të cilat gjej rastin t’i falënderoj për përkushtimin me të cilin stërviten”,- u shpreh tekniku i Vllaznisë. /i.m /abcnews.al