Shumica e gjermanëve besojnë se nuk ia vlen më të punosh, duke pasur parasysh mbështetjen në rritje nga ana e shtetit, sipas një sondazhi të publikuar të martën.
Sipas një sondazhi të bërë nga instituti INSA për të përditshmen Bild, 52 për qind e të anketuarve nuk mendojnë se puna të paguan, 40 për qind mendojnë të kundërtën dhe 8 për qind nuk kanë pranuar t’i përgjigjen pyetjes.
Të hënën, lajmi se një punëtor i magazinës nga Bad Einhausen në Gjermaninë perëndimore kishte lënë punën pasi mësoi për rritjen e fundit të përfitimeve të papunësisë tërhoqi vëmendjen e publikut.
Sipas vendimit të fundit të qeverisë, kjo ndihmë do të rritet me 61 euro nga 1 janari 2024, pra do të jetë 563 euro në muaj për një person të vetëm. Duhet shtuar se shteti mbulon të gjitha shpenzimet e strehimit dhe sigurimit shëndetësor për përfituesit e ndihmës.
Magazinieri që la punën pretendon se me pak “punë të fshehtë” dhe ndihmë shtetërore mund të fitojë më shumë në muaj sesa në punë.
Gazeta Bild llogariti se një punonjës që punon me pagën minimale për orë (aktualisht 13.90 euro) fiton rreth 2000 euro bruto dhe se pas zbritjeve për taksat, sigurimet pensionale dhe shëndetësore dhe pasi ka paguar qiranë dhe shërbimet komunale, i mbeten rreth 600 euro, pak më shumë se përfitimet e papunësisë.
Shumica e atyre që mendojnë se të shkosh në punë nuk ia vlen më, janë votuesit e Alternativës për Gjermaninë (AfD) populiste të krahut të djathtë. Votuesit e partive të koalicionit qeverisës, Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD), të Gjelbrit dhe Partia Liberal Demokratike (FDP) besojnë se puna jep rezultat.
Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Unioni Demokristian (CDU), Friedrich Mertz tha se ata që shkojnë në punë në fund të muajit duhet të kenë më shumë në xhepat se ata që marrin ndihmë shtetërore./abcnews.al