Kosto e përdorimit të “cash” sa 1% e PBB-së

schedule22:10 - 1 Tetor, 2019

schedule 22:10 - 1 Tetor, 2019

Kostoja e përdorimit të parave Cash në ekonominë shqiptare sipas llogaritjeve të Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore arrin më shumë se 1% të prodhimit të brendshëm kombëtar, duke i korresponduar një vlere prej 175 milion dollarësh.

Guvernatori i bankës qendrore Gent Sejko tha se për të rritur përdorimin e shërbimeve bankare, së shpejti do të miratohet ligji për shërbimet e pagesave, i cili do të zhdukë barrierat dhe do të ulë ndjeshëm  kostot e transaksioneve me vlerë të vogël.

 “Në terma konkretë, ky projektligj vlerësohet të nxisë ndjeshëm konkurrencën në treg, duke dhënë një kontribut thelbësor për krijimin e shërbimeve financiare me kosto të ulëta dhe lehtësisht të aksesueshme nga publiku i gjerë”, tha Sejko.

Ministrja e Financave Anila Denaj tha se përdorimi i parasë cash në ekonomi krijon vështirësi edhe në punën e administratës tatimore dhe luftën kundër informalitetit.

Përveç nismës së fiskalimizimit, qeveria do të zhvillojë një projekt i cili do të sigurojë informacion nga transaksionet e biznesit në kohë reale, pa qenë nevoja që të jetë prania fizike e inspektorit te ndërmarrja private.

 “Aktualisht nëpërmjet këtij formati ne synojmë që transaksionet që vijnë në kohë reale të kenë mundësinë të përpunohen në mënyrë më inteligjente dhe procesi të shoqërohet me një trajnim të vazhdueshëm për 1 vit e gjysëm të të gjithë inspektorëve të rinj në formë që ata të bëjnë të mundur zbulimin e evazionit pa qenë nevoja për të vizituar biznesin”, tha Denaj.

Mbledhja e Komitetit të Sistemit të Pagesave diskutoi edhe nismën e qeverisë të njohur si fiskalizimi, e cila krijon faturën elektronike dhe mundëson raportimin e biznesit në kohë reale, por edhe vendos limite të parave cash që mban një biznes./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!