Konferenca “Economist” në Shkup: Optimizëm dhe rezerva për zgjerimin e BE-së

schedule17:22 - 1 Tetor, 2019

schedule 17:22 - 1 Tetor, 2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në hapjen e konferencës së “Economist” që mbahet në Shkup u shpreh se rajoni ka ndryshuar dhe po synon krijimin e kushteve për zhvillim të mëtejshëm dhe integrim.

Politikanë e ekspertë nga vendi dhe jashtë sot në Shkup bashkarisht u përpoqën ta analizojnë situatën rreth Ballkanit dhe Europës, në kontekst të një ballafaqimi të ripërtrirë global mes forcave të mëdha, ku në mesin e pikave neuralgjike kryqëzohet edhe Ballkani.

30 vite pas rënies së Murit të Berlinit dhe afro dy dekada nga zgjerimi I BE-së drejt lindjes, është shtruar çështja se ku gjenden tani vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nëse procesi do t`i përfshijë edhe këto vende në një të ardhme të afërt. Aktorët kryesor, liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, nënshkruesit e Marrëveshjes së Prespës, janë optimistë.

“Duam që nëpër botë të jehojë lajmi i mirë se ky rajon ka ndryshuar. Ky rajon nuk do të ngec në konflikte dhe ardhmëri pa ide. Epoka e retorikave nacionaliste i takon të së kaluarës. Procesi i Berlinit rriti interesin për Ballkanin Perëndimor dhe na vendosi në hartën për bashkëpunim me vendet anëtare të BE-së”.

“Kjo marrëveshje tregon se shteti është një partner kredibil për BE-në dhe BE-ja duhet të miratojë datë për negociata në takimin e ardhshëm të Këshillit të Evropës. BE-ja duhet ta ndalojë introvencën e saj kombëtare. Duhet të vazhdojë të promovojë paqe dhe stabilitet me fqinjësinë e saj që të përmbyllen mundësitë për luftëra të reja në Jugosllavi”. 

Por, paralelisht sinjaleve optimiste që Maqedonia e Veriut dëshiron t’i dëgjojë për datën e negociatave, duket se ende ekzistojnë rezerva.

“Nuk mund t’ju garantoj nëse do të ketë një datë. Shpresoj. Do të bëjë çmos me ndikimin tim në politikën gjermane. Por, nuk jemi të sigurt se çka do të thotë Parlamenti holandez, parlamentet tjera, pas zgjedhjeve në Austri. Nuk e di. Përvoja ime me BE-në është se të gjithë e dinë se duhet progres, sikurse mes Shkupit dhe Athinës, por nga ana tjetër edhe institucionet në Bruksel nuk janë të sigurtë për ardhmërinë e BE-së”

Por, nëse Evropa edhe më tej le hapësirë të zbrazët në Ballkan, atëherë mundësohet infiltrimi i Rusisë dhe Kinës me taktikat e tyre ushtarako-ekonomike e ekspansioniste.

“Rusia asnjëherë nuk e ka braktisur këtë rajon. Këtu është edhe Kina që ka qëllimet e saja. Një lojtar shumë i sofistikuar strategjik. E shihni se sa është rritur buxheti i armatës kineze. Kjo shihet edhe në investimet nga Kina, në infrastrukturë dhe projekte tjera në rajon”.

Kryeministri Zoran Zaev shprehu kënaqësi që edhe Shqipëria është në rrugë të mirë për të marrë miratimin për fillimin e negociatave aderuese me BE-në dhe se kjo rrugë e transformimit të shoqërive është mirë të kalohet me bashkëpunim të ndërsjelltë. Por, mesazhi që Aleksis Tsipras ia dërgoi Kryeministrit shqiptar Edi Rama është që “të mos fshihet pas shpinës së Zaevit, por vetë të fokusohet në reformat e domosdoshme”./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!