Gjykata evropiane trajton rastin kundër ligjit francez për prostitucion

schedule16:56 - 31 Gusht, 2023

schedule 16:56 - 31 Gusht, 2023

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) bëri të ditur më 31 gusht se do ta trajtojë një apelim të bërë nga punonjësit e seksit kundër një ligji francez kundër prostitucionit, që thonë se ua ka shkatërruar jetën dhe i ka futur në ilegalitet.

Punëtorët e seksit mund të operojnë legalisht në Francë, por, në vitin 2016, Franca vendosi një ligj që kriminalizonte blerjen e akteve seksuale, duke i targetuar kështu klientët e punëtorëve të seksit.

Duke argumentuar se jetesa e tyre kërcënohet padrejtësisht nga ky ligj, 260 punonjës të seksit, të mbështetur nga disa grupe aktivistësh, paraqitën një apel në ECHR në vitin 2019, pasi kishin kaluar nëpër të gjitha rrugët ligjore në Francë.

Punëtorët e seksit dhe shoqatat e tyre protestojnë rregullisht kundër këtij ligji, me aksione të ndryshme dhe marshime në rrugë.

Gjykata me bazë në Strasburg tha se pranoi ta trajtonte këtë çështje pasi dëgjoi disa deklarata nga punonjëse seksi – franceze dhe të huaja – që tregonin se sa e pasigurt ishte bërë jeta e tyre që kur klientët u targetuan nga ligji i ri.

“Sipas atyre që punojnë ligjërisht si prostituta, kriminalizimi i klientëve të prostitucionit i ka shtyrë prostitutat në izolim, i ka ekspozuar ato ndaj një rreziku të shtuar për integritetin e tyre fizik dhe jetën e tyre dhe ndikon në lirinë e tyre për të vendosur se si t’i veprojnë në jetën e tyre private”, thuhet në deklaratën e gjykatës.

Punëtorët e seksit thonë se ligji francez bie ndesh me disa nene të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë mbrojtjen kundër trajtimit çnjerëzor.

“Shpresojmë që vendimi i gjykatës të njohë ndikimin shkatërrues të ligjit në jetën, shëndetin dhe sigurinë tonë”, tha Anais de Lenclos, zëdhënëse e shoqatës së punonjësve të seksit STRASS.

Pajtimi i gjykatës për ta trajtuar çështjen është në vetvete një fitore, pasi që ECHR-ja zakonisht hedh poshtë më shumë se 90 për qind të të gjitha aplikimeve.

“Gjykata e ka pranuar se ky është një rast i rëndësishëm që meriton një debat dhe ky është tashmë një sukses paraprak”, u tha gazetarëve Sarah-Marie Maffesoli, nga OJQ-ja humanitare Medecins du Monde.

Ligji francez i vitit 2016 synonte të frenonte prostitucionin duke kriminalizuar klientët dhe jo punonjësit e seksit, të cilët kategorizohen si viktima të tregtisë së seksit që kanë nevojë për mbrojtje.

Klientët rrezikojnë një gjobë prej 1.500 eurosh kur kapen.

Gjykata do ta marrë vendimin e saj në muajt në vijim./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!