Grushti i shtetit në Niger dhe lufta në Ukrainë, ministrat e Jashtëm europianë takohen sot në Spanjë

schedule09:03 - 31 Gusht, 2023

schedule 09:03 - 31 Gusht, 2023

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të takohen sot në Toledo, Spanjë për të diskutuar reagimin e tyre ndaj grushtit të shtetit në Niger, si dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën.

Çfarë do të diskutojnë ministrat e jashtëm europianë?

Paqëndrueshmëria në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore do të jetë në qendër të këtij takimi informal i cili do të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj juntës në Niger dhe organizatave që e mbështesin atë, pas presionit nga Franca dhe Gjermania dhe pas propozimit të kreut të BE-së, Josep Borrell.

Hashumi Masudu, ministri i punëve të jashtme të qeverisë së rrëzuar të Nigerit dhe Omar Turai, kryetar i komisionit të Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOËAS), do të marrin pjesë në diskutime.

“Është e qartë se grushti i shtetit në Niger hap një epokë të re paqëndrueshmërie në një rajon që ishte tashmë shumë i brishtë dhe kjo do të minojë stabilitetin e rajonit”, tha Borrell të mërkurën.

Ndërkohë, përpara Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të OKB-së dhe samitit të G20 në Indi, ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë gjithashtu luftën në Ukrainë, në prani të homologut të tyre ukrainas Dmytro Kuleba.

Kievi dhe aleatët e tij janë të shqetësuar se India, e cila aktualisht mban presidencën e G20, nuk e ftoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në samit.

Vitin e kaluar në samitin e 20 ekonomive më të mëdha të mbajtur në Bali të Indonezisë, çështja e Ukrainës ishte në krye të axhendës.

/abcnews.al