Komisioni për çështjet ligjore të Parlamentit Europian rrëzon përfundimisht kandidaturat e László Trócsányi për funksionin e komisionerit për politikën e zgjerimit dhe politikën e fqinjësisë, ashtu si dhe të rumunes Rovana Plumb, për funksionin e politikës së transportit.
Pas votimit në komisionin për çështjet ligjore të Parlamentit Europian, rezulton se shumica e komisionit ka rrëzuar të dy kandidaturat. Argumentimi i rrëzimit të tyre, është se kandidatët Trócsányi dhe Plumb nuk mund të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Traktatin e Bashkimit Europian dhe të kodit të sjelljes. Presidenti i Parlamentit David Sassoli do t’i shkruajë presidentes së re të Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen për të mësuar se ç’hapa do të ndërmarrë lidhur me këto dy kandidatura.
“Presidentja e zgjedhur, Ursula Von der Leyen pret një letër nga presidenti i Parlamentit Europian me vendimet e Parlamentit Europian, duke përfshirë edhe rekomandimin në përputhje me rregullat e procedurave të Parlamentit Europian. Dhe mbi këtë bazë, presidentja e zgjedhur do të marrë vendimin e saj”, tha Mina Andreva, zëdhënëse e Komisionit Europian.
Presidentja Von der Leyen pritet t’ju kërkojë Hungarisë dhe Rumanisë ose të tërheqin kandidatët e tyre dhe të paraqisnin kandidatë të rinj, ose të ndryshojë portofolet e Trócsányit dhe Plumb. ABC News ka mësuar se kryeministri Viktor Orban ka propozuar një kandidat tjetër për postin e komisionerit të zgjerimit. Ai është diplomati hungarez Oliver Varhelyi.
Rrëzimi i Kandidaturave të Trócsányit dhe Plumb përbën përplasjen e parë midis presidentes së zgjedhur Ursula Von der Leyen dhe Parlamentit Europian, që sipas traktatit të BE-së, merr detyrën në 1 Nëntor. Ndërkohë, komisionerët e tjerë të caktuar në ekipin Von der Leyen kalojnë në filtrin e Parlamentit Europian këto tre ditë./abcnews.al