Një grua dhe një fëmijë kanë humbur jetën në ishullin e Lesbos në Greqi, pasi disa emigrantë ndezën zjarre në shenjë proteste për mbipopullimin e kampit. Aktualisht në kampin që mund të presë vetëm 3 mijë persona ndodhen 12 mijë.
Disa emigrantë që protestonin për mbipopullimin e kampit Moria në Lesbo, Greqi, ndezën zjarre në disa pika të strukturës, duke vrarë një grua dhe një fëmijë dhe duke plagosur rreth 15 persona. Zëdhënësi i policisë lokale, shpjegoi se zjarri ishte ndezur në dy pika, njëri jashtë kampit tjetri Brenda. Në Moira ku kapaciteti është për 3 mijë persona, aktualisht ndodhen 12 mijë emigrantë.
Emigrantët, pjesa më e madhe e të cilëve janë afganë, u përplasën me policinë. Ata kërkojnë që të transferohen diku tjetër. Kampi i Moiras, ku kushtet e jetesës shpesh cilësohen si dramatike, është prej vitesh vendi smbol i vështirësive të Greqisë për t’u përballur me valën e emigrantëve. Muajt e fundit ka pasur një rritje të numrit të emigrantëve të mbërritur në Greqi.
Kryebashkiaku i Lesbos, Stratis Kitelis u shpreh se situata është shumë e tensionuar. Në ishull ndodhet dhe zv.ministri i brendshëm grek, i cili më parë ka qenë drejtori i përgjitshëm i policisë. /ABC News Albania 24/7