Rikonstruktohet shkolla 9 vjeçare “Demir Godelli” në Peqin

schedule17:00 - 29 Shtator, 2019

schedule 17:00 - 29 Shtator, 2019

450 nxënës të Peqinit e kanë nisur këtë vit shkollor në kushte tërësisht bashkëkohore. Shkolla 9 vjeçare “Demir Godelli” i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë i cili përfshin të gjitha standardet e përcaktuara tashmë nga Ministria e Arsimit për zhvillimin e një procesi mësimor normal.

Rikonstruksionit total të ambienteve i është shtuar sistemi i ngrohjes, i cili do të vihet në punë së shpejti, rinovimi i të gjithë rrjetit elektrik dhe hidraulik, termoizolimi, ambientet e jashtme ku përfshihet edhe një kënd lojërash për fëmijët e sistemit parashkollor, këndet sportive, si dhe e gjithë infrastruktura lehtësuese për nxënësit me aftësi ndryshe.

Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Peqinit, Lorenc Tosku inspektuan përfundimin e punimeve:

“Pamë sot punimet e kryera në këtë shkollë të cilat pothuajse janë përmbyllur, mbetet vetëm pjesa e ngrohjes për t’u vënë në punë. Kujtoj që rikonstruksioni përfshin veshjen me sistem kapot, termoizolimin, bazën materiale të re, ambientet sportive etj.

Kemi përmbyllur kështu shkollën e dytë të rëndësishme brenda në qytet. Tashmë kemi një tjetër shkollë e cila është dëmtuar nga tërmeti në fshatin Shezë” tha Balla.

Kryetari i bashkisë falenderoi qeverinë për investimet ndërsa shtoi se të tjera projekte janë gati dhe presin investimin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!