Ukraina raporton dëme në objektet ku ruheshin drithërat pas sulmit rus

schedule08:33 - 23 Gusht, 2023

schedule 08:33 - 23 Gusht, 2023

Rusia nisi një sulm tre-orësh me dronë gjatë natës në rajonin Odesa të Ukrainës, duke synuar objektet e eksportit të grurit dhe infrastrukturën tjetër civile, tha guvernatori rajonal, Oleh Kiper, në platformën Telegram më 23 gusht.

“Mbrojtja ajrore shkatërroi nëntë dronë të prodhuar nga Irani. Fatkeqësisht, objektet e prodhimit dhe eksportit janë dëmtuar dhe ka shpërthyer zjarr në një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë”, shkroi Kiper, duke shtuar se nuk ka viktima.

“Në orën gjashtë të mëngjesit zjarri është vënë nën kontroll. Ndër objektivat e dëmtuara janë edhe objektet ku ruheshin drithërat”, tha ai.

Më herët Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës raportoi për një sulm të ri me dronë rus në Ukrainë, por nuk dha më shumë detaje. Por, ushtria ukrainase raportoi se gjatë natës i kishte rrëzuar 11 nga 20 dronët e lëshuar nga Rusia.

Në korrik, Rusia u tërhoq nga një marrëveshje e cila mundësonte eksportin e sigurt të drithërave nga portet e Ukrainës. Që nga atëherë, Rusia i ka goditur vazhdimisht me dronë dhe raketa portet dhe objektet ku ruhen drithërat ukrainase.

Rusia u tërhoq nga marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, pasi që tha se nuk janë plotësuar kërkesat e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i propozoi muajin e kaluar presidentit rus ,Vladimir Putin, që ta zgjasë marrëveshjen në këmbim të lidhjes së një dege të bankës bujqësore të Rusisë me sistemin e pagesave ndërkombëtare SËIFT, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.

Gjatë muajit gusht, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina do t’i luftojë sulmet e Rusisë në Detin e Zi, në mënyrë që të mundë të importojë dhe eksportojë drithëra dhe mallra të tjera përmes ujërave të tij.

Rusia i bllokoi portet ukrainase në Detin e Zi në fillim të pushtimit të saj në shkurt 2022.

Kjo bllokadë po e ngufat Ukrainën ekonomikisht, pasi ekonomia e saj para luftës varej pothuajse plotësisht nga eksporti, me çelikun dhe drithërat më të eksportuarat./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!