Ish ambasadori amerikan Delawie: Kosova të integrojë serbët për të tejkaluar tensionet me Uashingtonin

schedule21:38 - 22 Gusht, 2023

schedule 21:38 - 22 Gusht, 2023

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, thotë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë forta, por pranon se veprimet e fundit të qeverisë në Prishtinë, i kanë vënë në vështirësi këto lidhje.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Delawie u shpreh kritik edhe ndaj qasjes së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.

Sipas tij, Kosova do të ishte më e gatshme të dëgjonte këshillat e Uashingtonit dhe Brukselit, nëse ato do t’i përgjigjeshin më seriozisht kërcënimit që qeveria serbe paraqet ndaj Kosovës dhe demokracisë në rajon.

“Mesa duket qeveria e Kosovës ka vendosur se nuk dëshiron të vazhdojë për momentin me çështjen e integrimit të serbëve të Kosovës, përfshirë, por jo vetëm, me çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo duket që është arsyeja që ka ngjallur pakënaqësinë dhe reagimin e Uashingtonit. Bashkëpunimi duhet të jetë i dyanshëm. Mendoj që zyrtarët në Uashington nuk po shohin bashkëpunimin e duhur nga qeveria e Kosovës dhe nga këndvështrimi i tyre, ata po përgjigjen në mënyrë të përshtatshme”, tha ai.

Në një bisedë me Garentina Kraja, ambasadori theksoi se Kosova duhet të përmbushë detyrimet për një shoqëri shumë etnike, integrimin e serbëve në vend dhe krijimin e asociacionit.

“Mënyra për të dalë nga kjo situatë është që të kthehemi tek ajo që Kosova ka dashur të jetë në fillim, një demokraci multietnike në Ballkanin Perëndimor; të gjejë rrugët se si të ecë drejt një të ardhmeje të tillë, me një gjithëpërfshirje më të mirë të serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera në vend. Ajo që ka mbetur pezull që nga viti 2013 është asociacioni. Mendoj se është i rëndësishëm. Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë dhe të hartojë planin e vet për këtë asociacion e që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi ai./abcnews.al