Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ka thënë këtë të shtunë se nuk sheh asnjë arsye për të dhenë dorëheqje, pas arrestimit të dy zyrtarëve të MINT-it dhe një biznesmeni në lidhje me aferën e rezervave shtetërore.
Në një lidhje me Skype për ‘Ballkan Update’, analisti nga Prishtina, Bedri Elezi tha se dorëheqja e ministres në këtë rast do të ishte e dobishme, për të mos ndikuar në hetimet që janë duke u zhvilluar.
Sipas Elezit, ky veprim do të tregonte që Kosova funksionon si një shtet, i cili jep leksione apo sinjale të një demokracie.
“Mendoj që dorëheqja e ministres në rastin konkret do të ishte e dobishme për t’i dhënë mundësi hetimeve dhe për të mos ndikuar në hetimet që janë duke u zhvilluar në një rast mjaft të dijshëm për faktin se kemi të bëjmë me rezervat shtetërore dhe këto rezerva filluan të bëhen në një rast kur bota ishte duke u përballur me disa paralajmërime të rënda. Prandaj, nëse dëshirojmë të funksionojmë si një shtet, i cili jep leksione apo sinjale të një demokracie, atëherë do të ishte e dobishme që ministrja në fjalë t’i hap rrugë prokurorisë speciale për zhvillime të hetimeve pa u ndikuar fare”, u shpreh ndër të tjera ai./abcnews.al