Objektet e vjedhura nga Muzeu Britanik po shiten në eBay

schedule19:55 - 17 Gusht, 2023

schedule 19:55 - 17 Gusht, 2023

Skandali i vjedhjes së sendeve me vlerë nga Muzeu Britanik, i cili doli në dritë të enjten, është hetuar me vonesë, edhe pse objekte me vlerë janë nxjerrë në shitje në platformën e ankandeve online eBay, sipas raportimeve në shtypin britanik.

Të mërkurën, Muzeu Britanik konfirmoi se një punonjës ishte shkarkuar pasi u zbulua se bizhuteritë dhe gurët e çmuar nga koleksioni i tij “kishin humbur, ishin vjedhur ose dëmtuar”. Por mediat britanike nxjerrin sot në dritë informacione të reja.

Sipas Telegrafit, thuhet se një ekspert i kishte vendosur në shitje objektet historike në platformë, duke treguar shitësin e mundshëm në Muze, por pavarësisht informacioneve nga viti 2020, autoritetet nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim.

Në fakt, Telegrafi raporton se në mesin e thesareve në shitje kishte edhe xhevahire romake. Pa dhënë detaje, Muzeu Britanik deklaroi se midis sendeve ose të vjedhura ose të dëmtuara ka bizhuteri ari, gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar që datojnë nga shekulli i 15-të para Krishtit deri në shekullin e 19-të pas Krishtit.

Shumica e tyre janë “copa të vogla që mbaheshin në një magazinë që i përkiste një prej koleksioneve të muzeut” dhe u përdorën për punë akademike dhe kërkimore dhe asnjë prej tyre nuk është ekspozuar së fundmi në publik.

Muzeu tha se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër punonjësit të shkarkuar, pa e përmendur emrin e tij. Mediat lokale, megjithatë, përmendin një konservator të shquar që ka punuar në Muzeun Britanik për 30 vjet.

PJH dyshohet se ka operuar prej vitesh, duke hequr sendet me qëllim shitjen e tyre. Dhe sipas Daily Telegraph, artikujt nga koleksioni i muzeut ishin shfaqur për herë të parë në eBay që në vitin 2016 .

Mirëmbajtësi dyshohet se ka vjedhur bizhuteri të vogla ari dhe gurë të çmuar. Objektet në fjalë llogariten të kapin vlerën e dhjetëra milionë eurove, sipas gazetës prestigjioze The Art.

Firma ligjore Art Recovery International, e cila është e specializuar në çështjet e riatdhesimit, postoi në Twitter duke komentuar se “Skulpturat e Parthenonit mund të mos jenë të sigurta në Mbretërinë e Bashkuar”.