DIBËR- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zv.kryeministrja Belinda Balluku këtë të mërkurë ka vizituar zonën e Maqellarës në Dibër, me fokus kryesor promovimin e turizmit dhe mundësive që të ofron Dibra.
Ajo u ndal në familjen Markeci, që sot sipas ministres, po pret turistë nga e gjithë bota e që këtë sezon po e vizitojnë gjithmonë e më shumë Dibrën, për natyrën që ofron e mikpritjen e banorëve që nuk mungon.
Ministrja tha se me infrastrukturën e re rrugore është rritur interesi i vizitorëve për të zbuluar bukuritë e qarkut Dibër.
“Unë nuk vij këtu si ministre, por vij si dibrane. Ka shumë interes nga njerëzit dhe është shumë bukur që ka nisur të zbulojnë Dibrën. Të keni gjithmonë e më shumë vizitorë, pra që vijnë në Kamping, sepse me të vërtetë Dibra ia vlen”, tha ajo.
Ajo kërkoi nga dibranët që të shtojnë kapacitete akomoduese, pasi ky investim do t’u shpërblehet me rritje të numrit të vizitorëve dhe rrjedhimisht më shumë ekonomi për familjet e tyre.
“Me të gjithë infrastrukturën e re që po ndërtohet do jetë më atraktive. Ju duhet të rrisin kapacitetet. Është një punë që duhet ta bëni, nga to punët e mira siç i bëni ju Dibranët”, tha Balluku/ n.m.abcnews.al