Eros Grezda ka përjetuar një moment jo të mirë ditët e fundit. Në një ndeshje me të rinjtë ai pështy një prej lojtarëve të Ballymena, ndaj edhe Rangers ka vendosur ta gjobisë anësorin e kombëtares shqiptare.
Vetë gjakovari ka dashur të sqarojë para pak ditësh, duke shkruar në rrjetet sociale: “Jam krejtësisht dakord të pështysh është gjest i shëmtuar, por çdo histori ka dy anë të medaljes. Kërkoj ndjesë për veprimet e ditëve të fundit”.
Së fundmi ka folur sërish edhe trajneri Steven Gerrard: “Patëm një bisedë private, ballë për ballë. I thashë atë që mendoja për incidentin. Ai tha versionin e tij dhe unë i përçova atë që bordi kishte vendosur, ndëshkim në aspektin financiar.
Grezda ka qenë i disiplinuar dhe jam i sigurt që shpejt do të marrë një letër nga klubi. I kam thënë ballë për ballë çfarë ne duam. Pasi t’i shkruajë klubi, i takon atij të vendosë nëse pranon apo sfidon. Nuk kam thënë që ai nuk do të luajë kurrë më për këtë klub. Ai do të disiplinohet. Kemi pasur një kërkesë për huazim dhe bordi po e shqyrton”. “The Scotrish sun” shkruan se janë dy klubet që e duan në huazim, Al Sadd dhe Al-Rayyan në Katar. / abcnews.al