Numri i të vdekurve nga zjarret në Maui, Hawaii, ka shkuar në 96, ndërsa të afërmit e të zhdukurve kërkojnë me dëshpërim për një shenjë se të dashurit e tyre mund të jenë ende gjallë dhe të mbijetuarit përpiqen të kuptojnë shkallën e shkatërrimit.
Disa ditë pasi ferri shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit bregdetar të Lahaina të martën dhe të mërkurën e kaluar, ekipet e zjarrfikësve u përpoqën të shuanin flakët ndërsa qentë e trajnuar për të zbuluar trupat kërkuan nëpër rrënojat e qytetit për viktima.
Kjo është fatkeqësia më e madhe natyrore në Hawaii, duke tejkaluar cunamin që vrau 61 njerëz në vitin 1960.
Është gjithashtu numri më i madh i viktimave nga një zjarr në SHBA që nga viti 1918, kur 453 njerëz vdiqën nga zjarret në Minesota dhe Ëisconsin, sipas të dhënave nga Shoqata Kombëtare e Mbrojtjes nga Zjarri.
Guvernatori i Havait, Josh Green, paralajmëroi në një konferencë shtypi të shtunën se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet. Qentë e trajnuar për të zbuluar kufomat kanë mbuluar vetëm 3 për qind të zonës së kërkimit, tha shefi i policisë së Maui, John Pelletier.
Të afërmit dhe miqtë po kërkojnë ndihmë për të gjetur personat e tyre të zhdukur në rrjete sociale.
Qindra mbeten të zhdukur, megjithëse numri i saktë ende nuk dihet.
/abcnews.al