German Pezzella ishte një hap afër largimit nga Fiorentina në merkaton e verës. Roma e kërkoi me insistim, por oferta e Milanit e tundoi më shumë se të gjithë. Kapiteni mendoi gjatë dhe në fund vendosi të qëndrojë në Firence.
Qendërmbrojtësi dëgjoi zemrën që i tha se aventura e tij me Fiorentinën nuk mund të përfundonte keq (ekipi siguroi qëndrimin në Serie A javën e fundit të sezonit të kaluar). Pezzella ka një dedikim të veçantë për golin e shënuar kundër Sampdorias.
Ekipi i Montellës do të përballet nesër me Milanin në San Siro dhe argjentinasi nuk i beson syve kur sheh renditjen e kuqezinjve. Ai zbulon dy lojtarët e preferuar të ekipit të Giampaolos dhe beson se Franck Ribery në fushë, Fiorentina do të jetë më afër fitores.
FIORENTINA – “E dini se çfarë më shtyu që të qëndroj? Dëshira për të fshirë vuajtjet e fundit të kampionatit të kaluar. Nuk doja që emri im t’i përkiste një periudhe të trishtë për Firencen dhe tifozët tanë. Golin kundër Sampdorias ia dedikoj gruas time, e cila më mbështet dhe duron momentet e mia të hidhura futbollistike, që kohët e fundit nuk kanë qenë të pakta.”
MILAN – “Surprizohem nga renditja e kuqezinjve. Njësoj si në rastin tonë nuk fotografon vlerat e skuadrës. Milani ndodhet në vështirësi, por nuk po vuan. Më shumë se të gjithë më pëlqen Suso, një lojtar që bën diferencën. Më pas është edhe Romagnoli, të cilin e konsideroj mbrojtësin më të mirë italian pas Chiellinit. Ne shkojmë në Milano për fitore. Duhet ta bëjmë duke i qëndruar besnik stilit tonë dhe duke u bazuar te magjitë e Ribery. Ai di se si fitohen ndeshje të tilla”, përfundon kapiteni i Fiorentinës.” /abcnews.al