Emiratet e Bashkuara Arabe mohoi raportimin e mediave se në një avion që supozohej të transportonte ndihma humanitare për refugjatët në Sudan u gjetën armë, duke theksuar neutralitetin në këtë luftë.
Në një deklaratë që ajo bëri publike, drejtoresha e komunikimit e Ministrisë së Jashtme të Emirateve, Afra Al Hameli, siguroi se vendi i saj nuk “furnizon armë dhe municione për asnjë nga palët ndërluftuese në Sudan”.
Hameli shtoi se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk marrin anë në konfliktin aktual që po trondit Sudanin por kërkojnë që t’i japin fund përplasjes si edhe të respektohet sovraniteti kombëtar.
Të enjten e kaluar, gazeta amerikane Wall Street Journal raportoi, duke cituar zyrtarë nga Uganda, se më 2 qershor u gjetën armë në bordin e një avioni që supozohej të transportonte ndihma humanitare nga Emiratet e Bashkuara Arabe për refugjatët sudanezë në Çad.
Që nga 15 Prilli, në Sudan ka shpërthyer konflikti i armatosur midis ushtrisë, të udhëhequr nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), paraushtarakëve të udhëhequr nga gjenerali Mohamed Hamdan Daglo./abcnews.al