Policia ka sekuestruar 26 kilogramë kanabis në Pogradec ndërsa ka vënë në pranga katër persona, të cilët tentuan ta trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut. Të arrestuarit, mes tyre dy punonjës të qendrës së Rasatit të Koranit magazinonin drogën buzë liqenit për ta trafikuar atë me varka peshkimi drejt RMV-së.
Të arrestuarit janë:
-Ardian Toska;
-Aurel Toska (punonjës pranë Qendrës së rritjes së Rasatit të Koranit);
-Roni Sulollari;
-Tane Bllazhe (punonjës pranë Qendrës së rritjes së Rasatit të Koranit).
Dy vëllezërit, Ardian dhe Aurel Toska, 51 vjeç dhe 43 vjeç, siguronin lëndën narkotike që do të trafikohej dhe e magazinonin atë buzë liqenit,në fshatin Lin. Më pas lënda narkotike trafikohej drejt shtetit fqinj me varka peshkimi që drejtoheshin nga Roni Sulollari dhe Tane Bllazhe, 45 dhe 53 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 26 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe për arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
/abcnews.al

