Zjarret në Hawaii, shkon në 93 numri i viktimave  

schedule11:24 - 13 Gusht, 2023

schedule 11:24 - 13 Gusht, 2023

Numri i të vdekurve nga zjarret në Hawaii ka shkuar në 93, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga autoritetet e qarkut Maui, me totalin që pritet të rritet ndërsa kërkimet vazhdojnë në atë që mbetet nga qyteti historik i Laheina.

Guvernatori i Hawaiit, Josh Green, paralajmëroi në një konferencë shtypi dje pasdite se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet. Qentë e trajnuar për të zbuluar kufomat kanë kërkuar në vetëm 3 për qind të zonës së kërkimit, tha shefi i policisë së Maui, John Pelletier.

Banorët, ende në gjendje shoku, kanë filluar të shohin shkallën e shkatërrimit në Laheina.

“Gjithçka u shkatërrua, gjithçka. Më është thyer zemra”, tha 80-vjeçari Anthony Garcia, i cili prej 30 vitesh ka zgjedhur Lahainën si shtëpinë e tij.

Rreth tij, të mbijetuarit kërkojnë nëpër hi me shpresën për të gjetur foto ose objekte. Nga dyqanet, hotelet dhe restorantet në qytetin turistik me 13000 banorë nuk ka mbetur pothuajse asgjë.

Në këtë peizazh rrënimi, banorët po përpiqen të kuptojnë se si mund të kishte marrë përmasa të tilla kjo tragjedi.

Maui përjetoi ndërprerje të energjisë gjatë krizës dhe numri i urgjencës 911 ndaloi së punuari në disa zona të ishullit, ndërsa sirenat e alarmit të zjarrit nuk u aktivizuan.

Ekipet e kërkimit dhe shpëtimit, të ndihmuar nga qen të trajnuar, kanë mbërritur në Maui për të gjetur viktimat.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!