Dy persona janë vrarë nga granatimet ukrainase në fshatin rus, Chausy, në rajonin Bryansk në kufi me Ukrainën, ka thënë guvernatori i këtij rajoni të enjten.
Një person tjetër u vra nga një sulm ukrainas në qytetin e kontrolluar nga Rusia, Nova Kahovka në jug të Ukrainës, sipas zyrtarëve të emëruar nga Rusia, shkruan REL.
Granatimet në territoret ruse përgjatë kufirit me Ukrainën janë bërë të zakonshme në muajt e fundit në luftën e Rusisë në Ukrainë, pasi Kievi po lufton për t’i larguar forcat ruse nga territoret e veta, të cila janë uzurpuar nga Moska qëkur nisi pushtimi në shkurt 2022.
Guvernatori i Bryansk, Alexander Bogomaz, tha se, përveç dy të vrarëve, janë lënduar edhe dy persona të tjerë në Chausy.
Në Novak Kahovka, administrata e qytetit, e udhëhequr nga Rusia, tha se një civil u vra nga një sulm ukrainas ndaj një biznesi, dhe se një tjetër u plagos.
Hollësitë e këtyre incidenteve nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.