Bie sërish euro/ Po këmbehet me 103 lekë, ndikon fluksi i madh i turistëve

schedule15:31 - 8 Gusht, 2023

schedule 15:31 - 8 Gusht, 2023

Euro e ka nisur  javen  duke humbur pikë kundrejt lekut shqiptar. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë duket se nuk e ka zbehur këtë tendencë pavarëisht se javën e kaluar pati një stabilizim të kursit të këmbimit. Aktualisht një euro po këmbehet me rreth 103.6 lekë  nga rreth 105 që arriti javën e kaluar  duke humbur rreth 1.4 pikë. Mësohet se vetëm ditët e fundit Banka e Shqipërisë ka blerë 18 milionë euro ndërsa në total që nga fillimi i vitit janë tërhequr nga tregu në total 188 milionë euro.

Ekspertët e tregut të këmbimit valutor theksojnë se tashmë duhet pritur disa ditë për të parë tendencën  dhe efektin e ndërhyrjes së fundit.Por megjithatë pritshmëritë mbeten të zbehta në një kohë që jemi në pikun e sezonit turistik.

Gjatë gushtit shënohen fluksi më i madh i turistëve të huaj por edhe i emigrantëve shqiptar që vijnë në Shqipëri duke shtuar ndjeshëm fluksin e eurove që janë në treg.

Në total parashikohet që përgjatë vitit 2023 të blihen rreth 300 milionë euro ndërsa më herët ishte planifikuar një fashë prej 160-220 milionë eurosh nga tregu i brendshëm me qëllim rritjen e rezerves.

Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se arsyet e forcimit të kursit të këmbimit të lekut në tregun e brendshëm valutor lidhen me ecurinë ekonomike të vendit, shtimin e investimeve të huaja dhe blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!