Kishin marrëdhënie me përfaqësues jashtë, pranga katër anëtarëve të një organizate anarkiste në Itali

schedule14:06 - 8 Gusht, 2023

schedule 14:06 - 8 Gusht, 2023

Katër anëtarë të një organizate anarkiste italiane të dyshuar për terrorizëm u arrestuan dhe pesë të tjerë janë nën hetim, pasi dyshohet se mbanin marrëdhënie me lëvizjet anarkiste jashtë vendit.

Mediat shkruajnë se autoritetet kanë çmontuar këtë organizatë, e cila siguronte “shpërndarjen e një botimi klandestin (…) që qarkullonte dy herë në muaj dhe ishte bërë mjeti kryesor për promovimin dhe përhapjen e diskursit anarkist më të pakompromis”.

Ndër të tjera thuhet se 9 të dyshuarit e moshës 27 dhe 56 vjeç, akuzohen për “nxitje dhe përkrahje të terrorizmit “.

Gjithmonë sipas prokurorisë, grupi i tyre është i lidhur me organizatën “Federata Anarkiste Informale – Fronti Revolucionar Ndërkombëtar” ( FAI/FRI ), natyra terroriste e së cilës është njohur në vendimet e gjykatave dhe që promovon “veprime të drejtpërdrejta (akte dhune) me qëllim në shkatërrimin e shtetit”.

Organizata kërkoi gjithashtu “një luftë anarkiste në nivel ndërkombëtar përmes forcimit të marrëdhënieve me individë dhe organizata anarkiste subversive që vepronin jashtë vendit”.

Një nga veprimet e fundit të qarqeve anarkiste italiane daton në vitin 2012: dy persona sulmuan më pas presidentin dhe CEO të Ansaldo Nucleare, një degë e kompanisë gjigante shtetërore italiane Finmeçanica, duke e plagosur në këmbë. FAI kishte shpjeguar në atë kohë se donte të denonconte rolin e këtij operacioni në sektorin bërthamor dhe të hakmerrej për anarkistët që ishin burgosur në Greqi.

Një nga nëntë të dyshuarit aktualë ka mbajtur kontakte edhe me një nga autorët e këtij sulmi, Alfredo Cospito, i cili është dënuar me 30 vjet burg dhe besohet se ka qenë drejtues i një organizate tjetër anarkiste përgjegjëse për kurthe paketash dhe sulme të ndryshme kundër autoriteteve rreth dhjetë vjet më parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!