Misteri i helmimit të disa mysafirëve gjatë një drekë me kërpudha helmuese ka tronditur Australinë. Tre nga pesë prej tyre vdiqën ndërsa autoritetet po hetojnë rastin.
Dy të shtuna më parë, pesë persona drekuan së bashku në një qytet të vogël në Australi. Brenda një jave, tre prej tyre vdiqën, personi i katërt po lufton për jetën dhe i pesti është nën hetim për helmimin e mundshëm të tyre.
Megjithatë, gruaja 48-vjeçare që përgatiti drekën thotë se nuk e di se çfarë ndodhi dhe se e donte familjen e saj dhe nuk do t’i bënte keq. Rasti i çuditshëm ka tërhequr vëmendjen kombëtare, ka habitur policinë dhe ka alarmuar komunitetin.
Historia e pazakontë filloi kur Gail dhe Don Patterson shkuan për drekë me nipërit e mbesat e tyre në shtëpinë e nuses së tyre Erin Patterson në Leongatha, dy orë me makinë në jug-lindje të Melburnit.
Atyre iu bashkua motra e Gail, Heather dhe burri i saj Ian. Të katër ishin anëtarë shumë të dashur të qytetit të afërt të Korumburrës, ku Ian ishte pastori lokal i kishës Baptiste.
Por nuk ishte një drekë e zakonshme. Disa orë pas vaktit, të katër të ftuarit u dërguan në spitalin lokal me simptoma që fillimisht tregonin për gastroenterit të rëndë. Menjëherë u bë e qartë se ishte diçka shumë më e keqe dhe ata u dërguan në një spital në Melburn.
Megjithatë, Heather, 66 vjeç dhe Gail, 70 vjeç, vdiqën të premten, ndërsa Don, 70 vjeç, vdiq të shtunën. Ian, 68 vjeç, është në një gjendje kritike në spital në pritje të një transplanti të mëlçisë. Policia beson se të katër hëngrën kërpudha helmuese.
Por çuditërisht, Erin dhe dy fëmijët e saj janë mirë. Policia thotë se të dy fëmijët hëngrën një vakt të ndryshëm. Por përtej kësaj, pak është e qartë. Hetuesit thonë se nuk janë të sigurt nëse Erin hëngri të njëjtin ushqim si mysafirët e saj, apo edhe nëse kërpudhat ishin në pjatën që ajo shërbe .
Ata gjithashtu theksuan se ajo është ndarë nga bashkëshorti i saj, i cili është djali i Patterson por e përshkruan atë si një ndarje “miqësore”. Duke qarë teksa fliste me gazetarët jashtë shtëpisë së saj, ajo refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve se cilat ushqime u dha të ftuarve ose nga vinin kërpudhat.
Por ajo deklaron se është e pafajshme. “Unë nuk bëra asgjë, i doja ata.”
/abcnews.al