Serbia vëzhgohet nga kamerat kineze

schedule07:50 - 7 Gusht, 2023

schedule 07:50 - 7 Gusht, 2023

Vetëm 2.700 njerëz jetojnë në Oseçinën qendrore, një qytet i vogël në Serbinë perëndimore. Ky qytet përbëhet thjesht nga dy kryqëzime.

Por, në pesë vjetët e fundit, së bashku me qytetin më të gjerë me rreth 10.000 banorë që e administron atë, në qytet janë instaluar kamera të sigurisë të prodhimit kinez.

Qeveritë komunale kanë blerë dhe vendosur kamerat si në qytetet, qytezat dhe fshatrat e tjera serbe, në emër të sigurisë. Sipas zyrtarëve, prezenca e tyre do të pakësojë shkeljet e rregullave të trafikut, do të zvogëlojë krimin dhe do ta bëjë më të lehtë kapjen e kriminelëve.

Mirëpo, shkalla e përhapjes së sistemit të mbikëqyrjes – në Oseçinë, për shembull, që nga një kamerë për çdo 100 banorë – së bashku me çështjen ligjore të vendosjes së teknologjisë së njohjes së fytyrës, që është një proces prokurimi jotransparent dhe me informacion të kufizuar nga autoritetet serbe për mënyrën se si sistemet janë të rregulluara, rrit shqetësime serioze për atë se çfarë do të thotë për të ardhmen e Serbisë shtimi i kamerave në të gjithë vendin.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë hulumtoi për muaj të tërë mekanizmat e prokurimit për sistemet e video-mbikëqyrjes në më shumë se 40 qytete dhe komuna dhe gjeti se kishte një proces të ndërlikuar lidhur me përhapjen e vendosjes së kamerave, që ka ndodhur me pak informacion publik ose konsultim me qytetarët.

Duke u mbështetur në të dhënat publike, dokumentet qeveritare të marra në bazë të kërkesave për lirinë e informacionit, intervistave të ekspertëve dhe vizitave të drejtpërdrejta në komunat, rrugët dhe sheshet publike të të cilave janë mbuluar me kamera të prodhimit kinez, REL zbuloi se zgjerimi është financuar nga buxhetet lokale – jo buxheti qendror i Beogradit, përkatësisht të Ministrisë së Brendshme – një marrëveshje që mund të prodhojë pengesa ligjore.

Radio Evropa e Lirë zbuloi gjithashtu se 42 qeveritë lokale i kanë dhënë kontratat e tyre ekskluzivisht Macchina Security, një kompani serbe në hije, gjithnjë e më aktive në tregun e mallrave dhe shërbimeve të sigurisë, e cila viteve të fundit ka fituar tenderë dhe ka importuar teknologji vëzhgimi të prodhuar nga Kina.

Ka informata të kufizuara për publikun se ku janë vendosur të gjitha kamerat e blera dhe si po përdoren në Serbi, por dokumentet e siguruara nga REL-i tregojnë se të paktën 10 komuna kanë blerë kamera përmes Macchina Security, teknologjia e së cilave ka aftësi për njohjen e fytyrës, një temë që ka qenë një pikë e nxehtë politike në Beograd për vite me radhë për shkak se përdorimi i këtyre kamerave është bërë para vendosjes së masave ligjore për të kontrolluar teknologjitë e vëzhgimit publik përmes videos dhe teknologjisë së njohjes së fytyrës.

Nevena Ruziç, eksperte për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila më parë ka punuar në zyrën e Komisionarit të Serbisë për Informacionin me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i tha Radios Evropa e Lirë se mungesa e rregullores për vëzhgimin me video ishte një çështje e madhe ligjore me të cilën ballafaqohet ky vend ballkanik, dhe se shtimi i kamerave në komuna krijoi paqartësi ligjore, pasi qeveritë lokale nuk kanë mandat të qartë për të përdorur sistemet e vëzhgimit.

“Komunat dhe qytetet mund të vendosin mbikëqyrje në hapësirat e tyre, por zonat publike, me qëllim të parandalimit të krimeve ose sigurisë së trafikut, nuk janë në kompetencën e tyre. Kjo do të thotë që [ligjërisht] ata as nuk duhet të jenë në gjendje të blejnë pajisje të tilla”, tha Ruziç.

Zgjerimi në heshtje

Shqetësimet për vendosjen e sistemeve të mbikëqyrjes dhe mungesa e rregullores nuk janë diçka e re në Serbi.

Pas vitesh negociatash, Serbia filloi të instalonte kamera vëzhgimi në vitet e fundit të prodhuara nga Huawei i Kinës përmes një projekti Safe City për Beogradin. Qeveria është aktualisht në procesin e prezantimit të rreth 8.000 kamerave të vëzhgimit Huawei me teknologji për njohjen e fytyrës, mijëra prej të cilave janë vendosur tashmë në kryeqytetin serb.

Beogradi tha se softueri i njohjes së fytyrës nuk është vendosur ende për shkak të mungesës së legjislacionit të duhur. Por përdorimi – dhe abuzimi i mundshëm – i teknologjisë ka qenë një burim shqetësimi për aktivistët, opozitën politike të vendit, grupet e të drejtave civile dhe ekspertët e sigurisë kibernetike.

Qeveria është përpjekur disa herë të shtyjë përpara legjislacionin që do t’i jepte autoritet të gjerë për përdorimin publik të teknologjisë së vëzhgimit dhe njohjes së fytyrës brenda ligjeve të reja për policinë, por e ka tërhequr projektligjin – në fund të dhjetorit të vitit 2022 – për shkak të protestave dhe presionit publik.

Megjithatë, ndërkohë që sistemet kineze Huawei në Beograd kanë tërhequr vëmendjen në Serbi, vendosja e kamerave të vëzhgimit në të gjithë zonën rurale përmes marrëveshjeve me Macchina Security ka ndodhur heshturazi, me kamerat Dahua – një tjetër furnizues i rëndësishëm kinez i teknologjisë së vëzhgimit – që janë zgjedhja më pëlqyer.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Radio Evropa e Lirë në bazë të kërkesave për lirinë e informacionit, 10 nga 42 komuna dhe qytete me të dhëna të disponueshme kanë pajisje për njohjen e fytyrës, ku të gjitha blejnë të njëjtën teknologji DSS PRO Dahua.

Përtej blerjeve së pajisjeve Dahua, informacione të tjera mund të shihen në dokumentet zyrtare. Thuhet se të dhënat e regjistruara do të kalojnë në komisariatet lokale të policisë, por nuk ka detaje se si do të përdoren materialet nga policia.

Kamerat për vëzhgim publik dhe përdorimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës po përhapen globalisht dhe po nxisin debate dhe polemika rreth ligjshmërisë dhe etikës së përdorimit të tyre. Këto shqetësime ekzistojnë pavarësisht nga vendi i origjinës së prodhuesit, por disa qeveri perëndimore dhe ekspertë të pavarur kanë paralajmëruar kundër përhapjes së kamerave nga disa shitës kinezë. Ata kanë shprehur shqetësime për sigurinë e të dhënave dhe mungesën e masave mbrojtëse për të parandaluar abuzimin me këtë teknologji.

Dahua, për shembull, u vendos në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara në vitin 2019 për shkak të pretendimeve se ishte bashkëpunëtore në shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Kompania zhvilloi softuer për njohjen e fytyrës që mund të identifikojë ujgurët etnikë në rajoni perëndimor Ksinjiang të Kinës, ku Pekini ka zhvilluar një fushatë masive shtypjeje kundër ujgurëve, kazakëve dhe pakicave të tjera myslimane. Këtë fushatë shtypjeje disa parlamente perëndimore i kanë njohur si gjenocid dhe Kombet e Bashkuara kanë thënë se shkeljet mund të përbëjnë po ashtu krime kundër njerëzimit.

Përtej Beogradit

Pavarësisht nga ndërlikimet ligjore të ngritura nga Ruziq dhe shqetësimet rreth procesit të tenderimit, komunat dhe qytetet duket se po ecin përpara me një marrëveshje në të cilën komuna lokale blen pajisjet nga buxheti i saj, por ato përdoren nga Ministria e Brendshme.

Nenadiq tha se kjo është një marrëveshje e çuditshme që mund të pengojë qëllimet e deklaruara të përdorimit të një teknologjie të tillë për të përmirësuar sigurinë publike.

“Nëse siguria është arsyeja e këtyre prokurimeve, lind pyetja se pse duhet të varet nga qeveria komunale për të marrë vendimin e nevojshëm dhe jo nga Ministria e Brendshme”, tha Nenadiq.

Policia lokale refuzoi kërkesën e Radios Evropa e Lirë për koment mbi mënyrën se si përdoret teknologjia e blerë, duke iu drejtuar gazetarët në Ministrinë e Brendshme, e cila nuk pranoi të komentojë.

Përgjigja e vetme erdhi nga qyteti Beçej, që gjendet rreth 120 kilometra në veri të Beogradit, administrata komunale e të cilit deklaroi se sistemet e tij nuk ishin instaluar ende plotësisht.

Edhe qytetet e tjera janë prapa planit në instalimin e kamerave. Për shembull, Subotica – një qytet në Serbinë veriore afër kufirit hungarez – e ka rishikuar afatin e saj disa herë dhe nuk i ka instaluar ende të gjitha kamerat.

Administrata e qytetit të Beçej tha për Radion Evropa e Lirë se teknologjinë e kanë blerë për shkak të shqetësimeve të sigurisë publike dhe se prokurimi është paguar nga buxheti lokal, i cili financohet nga arkëtimi i gjobave në trafik.

Komuna shtoi se pasi të instalohen nga pushteti vendor, pajisjet do të përdoren nga policia dhe do të rregullohen nga një kontratë e përbashkët për bashkëpunimin teknik mes dy subjekteve.

Nenadiq tha se lidhja e një kontrate të tillë nuk është standarde dhe mund të paraqesë probleme ligjore midis Ministrisë së Brendshme dhe komunës.

“Kur organet shtetërore lidhin kontrata të tilla, ato shpesh shkelin ligjin sepse kjo është një mënyrë për të anashkaluar detyrat dhe detyrimet e tyre të përcaktuara me ligj. Është e paqartë nëse ky është pikërisht rasti këtu, por ka shumë shenja që organet shtetërore duhet të hetojnë”, tha Nenadiç./REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!