Një 28-vjeçar banues në Tiranë, është shpëtuar pas 10 orësh operacion kërkimi – shpëtimi gjatë natës në det të hapur në Borsh.
Të riu iu fik mjeti lundrues Jet Ski, në mes të detit, për shkak të një defekti dhe rrymat e zhvendosën 2.5 milje në thellësi, në drejtim të ishullit të Korfuzit duke i rrezikuar seriozisht jetën.
Policia u njoftua mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00, ku menjëherë nisi operacionin me 3 mjete lundruese, ndërsa lokalizimi dhe shpëtimi i 28 -vjeçarit u bë i mundur në orën 06:20 të ditës së sotme.
Njoftimi i policisë:
Borsh/Policia Kufitare, 10 orë operacion kërkim-shpëtimi, gjatë natës, në det të hapur, për t’i shkuar në ndihmë një 28-vjeçari.
Iu fik mjeti lundrues Jet Ski, në mes të detit, gjatë natës, për shkak të një defekti, dhe rrymat detare e zhvendosën 2.5 milje në thellësi (në drejtim të ishullit të Korfuzit), duke i rrezikuar seriozisht jetën, Policia lokalizoi dhe shpëtoi 28-vjeçarin.
Operacioni i kërkim-shpëtimit angazhoi shërbime të Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe të repartit “Delta”, me 3 mjete lundruese.
Pas marrjes së njoftimit nga miq të shtetasit ., 28 vjeç, banues në Tiranë, se kishin humbur kontaktet me këtë të fundit, pasi rreth orës 20:00, ky shtetas, për qëllime turistike, ishte nisur me Jet Ski, nga Porto Palermo drejt Borshit, shërbime të Policisë Kufitare të DVKM Vlorë dhe të repartit “Delta”, të pajisura me 3 mjete lundruese dhe të asistuara nga peshkatarë të zonës, kanë organizuar punën dhe kanë dalë menjëherë në det të hapur, për të lokalizuar dhe shpëtuar 28-vjeçarin.
Si rezultat i një operacioni kërkim-shpëtimi që zgjati nga ora 20:00 deri në orën 06:20 të ditës së sotme, në det të hapur, të kryer nga shërbime të specializuara të Policisë, u bë i mundur lokalizimi 2.5 milje në thellësi të detit, dhe nxjerrja në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, e 28-vjeçarit.
Për shkak të një defekti, mjeti lundrues Jet Ski që drejtonte ky shtetas, gjatë natës, ishte fikur në mes të detit dhe rrymat detare e kishin zhvendosur atë, në drejtim të ishullit të Korfuzit.
Pas shpëtimit, mirënjohës për ndërhyrjen e menjëhershme dhe profesionale të Policisë, shtetasi K. S. u shpreh: “Falënderoj shumë Policinë Kufitare të Himarës dhe të Vlorës, pasi kam 10 orë që rri në det të hapur, për shkak të një defekti që pësoi motori i ujit, dhe rrymat detare më çuan drejt ishullit të Korfuzit. I falënderoj shërbimet pasi erdhen menjëherë me mjetet lundruese dhe më shpëtuan jetën.”
Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë, dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme.