Një poster i madh që denoncon abuzimin seksual të fëmijëve nga klerikët është vendosur gjatë natës në Lisbonë vetëm disa orë para mbërritjes së Papa Françeskut.
Mëngjesin e kësaj të mërkure papa ka mbërritur në kryeqytetin portugez për një vizitë pesë-ditore, me fokus tubimin më të madh në botë të të rinjve katolikë. Ndalesa e parë e Papa Françeskut do të jetë një ceremoni mirëseardhjeje e organizuar nga presidenti portugez Marcelo Rebelo de Souza në Pallatin Presidencial Belem.
Dita Botërore e Rinisë u ideua nga i ndjeri Papa Gjon Pali II për adoleshentët katolikë dhe ata në të 20-at e tyre dhe mbahet çdo dy ose tre vjet në një qytet tjetër.
Ngjarja vjen më pak se gjashtë muaj pas publikimit të një raporti nga një komision portugez, i cili zbuloi se të paktën 4,815 të mitur ishin abuzuar seksualisht nga klerikët kryesisht priftërinj -gjatë shtatë dekadave.
Komiteti theksoi se kjo është vetëm “maja e ajsbergut”. Papa Françesku , i cili do të jetë në Portugali deri më 6 gusht, pritet të takohet privatisht me viktimat e abuzimit .
Posteri u postua në Avenida Almirante Reis një nga rrugët më të gjata dhe më të ngarkuara të Lisbonës dhe në të shkruhet “4,800+ fëmijë të abuzuar nga Kisha Katolike në Portugali”.
Patriarku i Lisbonës Manuel Clemente tha të hënën se angazhimi i kishës portugeze për të trajtuar abuzimin seksual nga klerikët ishte “i plotë”.
Dy postera të tjerë janë vendosur gjithashtu në komunat fqinje Loures dhe Oeiras, ku do të zhvillohen edhe aktivitetet e Ditës Botërore të Rinisë./abcnews.al