Shqipëria ka marrë mbështetjen e grupit më të madh parlamentar të Gjermanisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Megjithatë, vendimit i janë bashkangjitur një seri kushtesh që Shqipëria duhet të plotësojë, në të kundërt procesi do të ndalet e madje mund të braktiset.
Grupi parlamentar i unionit CDU-CSU dhe ai i social-demokratëve në Gjermani votuan pasditen e së martës pro hapjes së negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, rekomandimi pozitiv për çeljen e procesit shoqërohet me një sërë kushtesh të cilat duhet të implementohen nga klasa politike shqiptare. Mes tyre renditen: nisja nga puna e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë duke i pajisur të dyja institucionet me numrin e duhur të gjyqtarëve; miratimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe përmes një dialogu politik gjithëpërfshirës; nisja e procedimeve penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur me shkelje gjatë procesit të vetingut; ngritja dhe vënia në punë e strukturave të posaçme për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar; arritja e rezultateve konkrete në këto dy fusha; arritja e rezultateve të prekshme në reformën administrative; dhe një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Gjykata Kushtetuese. Deklarata thotë se, nëse urdhërohet një përsëritje e zgjedhjeve ato duhet të mbahen në bazë të ligjit të ri elektoral. Gjithashtu, Bundestagu konstaton se Shqipëria ndodhet në një krizë serioze politike dhe i bën thirrje të gjitha palëve që ta tejkalojnë atë përmes dialogut politik, në të kundërt rruga drejt negociatave të anëtarësimit do të bëhet më e vështirë. Dokumenti i grupit parlamentar të unionit CDU-CSU paralajmëron më tej se, në rast se pas hapjes së negociatave të anëtarësimit Shqipëria vonon, pezullon ose tërhiqet nga angazhimet e marra përsipër, procesi do të ndalet dhe në rast dyshimi do të braktiset. /ABC news Albania 24/7