Milani, biseda me babanë, Boban dhe numri 18: rrëfehet Ante Rebic

schedule16:26 - 24 Shtator, 2019

schedule 16:26 - 24 Shtator, 2019

Ante Rebic ishte përforcimi i fundit i Milanit në merkato. Kroati u shkëmbye me Andre Silvën dhe ndihet i lumtur në Milano. 26-vjeçari ka provuar edhe më parë emocionet e Serie A me Veronën dhe Fiorentinën.

Shpërthimi ndodhi te gjermanët e Eintracht Frankfurt, ndërsa Botërori Rusi 2018 i dha një famë ndërkombëtare. Rebic ishte një ndër surprizat më të bukura të Kroacisë së Zlatko Dalic, që arriti në finalen e madhe të Moskës.

Lojtari ofensiv ka folur për “Milannews.it”, aty ku tregon emocionet e ofertës së kuqezinjve, bisedën me babanë e tij dhe numrin e zgjedhur të fanellës.

MILANI – “Sapo mora vesh për interesimin e Milanit lajmërova menjëherë babanë tim. Ai më tha që duhet të pranoja, pa asnjë dyshim. Më tha që Milani është një ndër klubet më të mëdha në Itali dhe se nuk duhet të kisha dyshime për këtë zgjedhje.

Jam i lumtur dhe krenar që ndodhem këtu. Bisedova me Boban dhe ai më tregoi pritshmëritë e klubit ndaj meje. Është një nder i madh dhe ndjej përgjegjësi të madhe mbi supe. Dua t’iu tregoj të gjithëve se jam përmirësuar shumë në krahasim me eksperiencën time të fundit në Serie A.”

PËRMIRËSIMI – “Jam rritur shumë falë Niko Kovac te Eintrachti i Frankfurtit. Ish-trajneri është një ndër njerëzit më të rëndësishëm të jetës time sportive. Bisedonim shpesh bashkë dhe ai më ndihmonte edhe për gjërat jashtë fushave.”

NUMRI – “Tek Eintrachti kisha numrin 4. Mund ta kisha zgjedhur edhe këtu, por ishte i zënë. Zgjodha numrin 18 prej faktit që më solli shumë fat në Botëror me Kroacinë. Tani jam numri 18 i Milanit dhe i Kroacisë.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!