Dy persona janë proceduar penalisht në Dhërmi pasi akuzohen për ndotje akustike.
Sipas policisë nga monitorimet e bëra për parandalimin e ndotjes akustike, me qëllim garantimin e qetësisë për pushuesit, kanë proceduar penalisht 2 pronarët e këtyre subjekteve, për prishje të qetësisë publike.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi dhe të Komisariatit të Policisë Himarë, në kuadër të garantimit të një sezoni të sigurtë dhe të qetë, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:00, gjatë patrullimit në Dhërmi, kanë marrë telefonata nga pushuesit që ankoheshin për muzikën shumë të lartë që ishte kthyer në shqetësim të madh për ta.
Pas ankesave, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dy beach bar-et, në të cilat po gjenerohej muzikë shumë e lartë. Në vijim të veprimeve procedurale, janë sekuestruar pajisjet që gjeneronin muzikë në këto subjekte dhe ka nisur procedimi penal për 2 pronarët e tyre, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. /abcnews.al