Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të shqyrtojë një urdhër arresti për presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, lidhur me rolin e vendit në luftën kundër Ukrainës.
Në një raport të ri, komiteti i bëri thirrje gjithashtu regjimit bjellorus që të lirojë të gjithë të burgosurit politikë dhe shprehu shqetësimin për vartësinë e vendit ndaj Moskës.
“Bjellorusia është përgjegjëse për dëmet e shkaktuara dhe krimet e kryera në Ukrainë, duke përfshirë rolin e regjimit në deportimet e paligjshme të fëmijëve,” thanë ligjvënësit e BE-së.
Raporti gjithashtu u bën thirrje institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm në nivel ndërkombëtar për të mundësuar ndjekjen penale të atyre udhëheqësve politikë dhe ushtarakë bjellorusë përgjegjës për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit.
ICC-ja në mars lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtaren ruse Maria Lvova-Belova për dëbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi.
/abcnews.al