Tregtia e jashtme me rënie/ Eksperti: Eksportet u ulën 5 përqind, të gjendet një ‘e mesme e artë’ për kursin e këmbimit

schedule14:39 - 18 Korrik, 2023

schedule 14:39 - 18 Korrik, 2023

Eksportet kanë pësuar rënie gjatë muajit Qershor. Një faktor që ka ndikuar është zhvlerësimi i euros por edhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se vlera e eksporteve në qershor arriti në 38 miliardë lekë, një tkurrje me 17.3% krahasuar me një vit më parë.

Eksperti ekonomik, Mateo Spaho, në një lidhje live për “Sheshi i Dollarit” theksoi se nga janari deri në maj, rënia e eksporteve ka qenë me 5 përqind. Si pritet të jetë trendi në vijim? Sipas ekspertit, eksportet do të kenë goditje duke marrë parasysh që euro nuk ka gjasa që të përforcohet shpejt.

Spaho thotë se monedha evropiane do të ketë një forcim të ngadaltë ndaj është e nevojshme që të merren masa nga ana e Bankës Qendrore për të gjetur një “të mesme të artë” siç theksoi ai për kursin e këmbimit në mënyrë që eksportet të mos penalizohen më shumë.

“Nuk ka asnjë gjasë që euro të përforcohet deri në fund gushti. Nga shtatori mund të kemi rimëkëmbje të lehtë. Mund të kemi një forcim të ngadaltë të euros sepse rritja e turizmit nuk ka ndodhur vetëm per verën por edhe në muajt e tjerë. Nga tetori e tutje, do të kemi më shumë turistë se vitin e kaluar dhe kjo influencon kursin e këmbimit dhe duhet që Banka Qendrore të mendojë se kush është kursi i këmbimit që i leverdis ekonomisë shqiptare.

Duhet gjetur një e mesme e artë që edhe eksportet të mos penalizohen dhe të jemi në një situatë që të lejojmë sektorët e tjerë të performojnë. Vetë leverdia për të pasur një rritje të sektorit të turizmit do një lek më të dobët seç e kemi sepse turistët konvertojnë euron në lekë. Gjithsesi nga kjo pikëpamje ende Shqipëria është një vend i lirë për ta. Do të duhet që për sezonin tjetëer të kemi marrë disa masa nga banka qendrore. “, theksoi eksperti.

“Eksportet duhet t’i ndihmojmë mbi jë bazë të qëndrueshme dhe është pikërisht kursi i këmbimit jo mbiçmuar apo nëncmuar por që duhet komunikuar nga sektori i kërkimit të Bankës së Shqipërisë, që ka programet e duhura ekonometrike për të nxjerrë shifrat. Nëse leku është i mbicmuar apo nëncmuar apo në nivelin optimal me euron.”, shtoi Spaho. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!