Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në kuadër të zbatimit të Planit të masave për përballimin e të nxehtit ka inspektuar një prej pikave të hapura enkas për asistencë mjekësore për qytetarët që do të kenë nevojë në Pedonalen e Shkodrës.
“Në kuadër të planit të masave të bashkërenduar me të gjitha institucionet qe jemi duke punuar, qoftë me Njësinë Mjekësore Ushtarake, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Operatorin e Kujdesit Shëndetësore dhe gjithashtu edhe me Institutin e Shëndetit Publik, jemi të angazhuar sa i përket valës së të nxehtit, ku kjo javë konsiderohet si një prej javëve më të nxehta, ndaj 9 Njësi të Lëvizshme janë në territor, me mjekë, infermierë, janë pozicionuar në qendra të qyteteve, duke filluar nga Tirana me 4 njësi në territor, gjithashtu në Shkodër, Berat, Durrës, Gjirokastër, Elbasan dhe në zonat bregdetare ku tashmë stukturat e emergjencave janë në territor qe në 15 Qershor. Këto struktura te emergjencave të vendosura në qendër të qyteteve ku edhe fluksi i turisteve dhe pushuesve është i lartë të kemi garanci që të ofrojmë kujdes shëndetësor në kohë”, tha Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në zbatim Planin e masave kundër valës së të nxehtit, në koordinim me Institutin e Shëndetit Publik, Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Qendrën Kombëtare të Urgjencave Mjekësore dhe Njësinë Mjekësore të Ushtrisë.
Plani i masave për përballimin e valës së të nxehtit përmban: Vendosjen në gatishmëri të nëntë autoambulancave në zonat me fluks të lartë në qendrat e qyteteve për ardhjen në ndihmë të rasteve urgjente. Gjithashtu në shërbimin parësor, janë në funksion urgjencat pediatrike 24/7 në katër qendra në Tiranë. Ndërsa janë hapur 30 qendra shëndetësore verore në zonat bregdetare dhe malore./abcnews.al